Joachim Low, trajneri i kombëtares gjermane, theksoi se detyra e arritjes në gjysmëfinalet e Euro 2012 nuk do të jetë aspak e thjeshtë për skuadrën e tij.
Gjermania do të luajë të premten në mbrëmje përballë Greqisë dhe bastet e shikojnë si një superfavorite për të kaluar, por sipas Low, në fushën e lojës fitorja nuk do të jetë aq e thjeshtë.
”Skuadra ka luajtur mirë deri tani dhe besoj se jemi të mirëpërgatitur, por është e rëndësishme që të vlerësojmë si duhet skuadrën greke. Për t’i mposhtur duhet të luajmë me durim, pasi Greqia është një ekip difensiv dhe di të mbrojë shumë mirë. Është e rëndësishme që për t’i mundur të jemi të shpejtë dhe të fuqishëm”, tha Low.
”Skuadra greke është e aftë të kundërsulmojë shumë mirë dhe me lojën e tyre mund të bëjnë shumë dëme. Loja e tyre ka shumë ngjashmëri me atë të Chelsea, që arriti të fitonte Champions League me një stil tepër mbrojtës, prandaj duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm”.
Pasi vlerësoi kontributin e Hummels në ndeshjet e grupit dhe tha se Shweisteiger do të jetë në gjendje të luajë mbrëmjen e së premtes, Low pranoi se mungesa e Karagounis nga ana e kampionëve të Europës në 2004-n do të jetë një avantazh për Gjermaninë e tij. “Ai është ideatori i lojës së grekëve. Do të jetë një mungesë e rëndësishme për ta, ndonëse nuk është futbollisti i vetëm që zotëron teknikë të mirë në radhët e tyre”.
Top Channel