Lideri i Greqisë në këtë Europian, Giorgios Karagounis, do të mungojë në çerekfinalen e së premtes përballë Gjermanisë për arsye kartonash.
Megjithatë, 35-vjeçari është i bindur që shokët e tij të skuadrës mund të bëjnë edhe pa të dhe ashtu si në Euro 2004, të vazhdojnë rrugën drejt një suksesi të paimagjinuar.
”Grekët lindin fitimtarë. Ne lindim për të qenë luftëtarë dhe prandaj nuk dorëzohemi kurrë. Pavarësisht vështirësive të shumta në grup, në asnjë moment nuk e humbëm shpresën e kualifikimit”, deklaroi Karagounis në një intervistë për të përditshmen greke “To Dhima”.
”Fitorja me Rusinë në ndeshjen e fundit në grup, për mua ishte e krahasueshme për nga rëndësia me suksesin e Euro 2004, mbi të gjitha pasi ishte shumë e rëndësishme për kombin tonë në vështirësi dhe riktheu gëzimin tek shumë njerëz që dolën për të festuar në rrugë. Megjithatë, një sukses përballë Gjermanisë do të rikthente një gëzim shumë herë më të madh dhe kjo është ajo që na motivon më shumë”.
Sipas veteranit të Panathinaikos, suksesi është i mundur. “Asnjë skuadër nuk është e pathyeshme dhe ne grekët e dimë mirë këtë. Në këtë Europian, më thonin se më e mira që mund të bëja ishte të luaja tre ndeshjet e grupit, për të barazuar numrin e ndeshjeve ndërkombëtare të Zagorakis (kapiteni i kombëtares historike të 2004-s). Pasi luajta tre ndeshjet e grupit dhe pasi treguam që nuk kemi ardhur në Poloni për shëtitje, tashmë shpresoj që shokët e mi të më bëjnë një dhuratë dhe të kem mundësi që ta thyej rekordin, duke luajtur në gjysmëfinale, pasi të kem shlyer këtë pezullim”.
Në intervistën e tij, Karagounis refuzoi të fliste për të ashtuquajturin “derbin e Eurozonës”, përballë Gjermanisë së Angela Merkelit të shumëurryer në Greqi për rolin e saj në vendosjen e sanskioneve ndaj vendit. “Detyra ime është të jem futbollist dhe prandaj flas vetëm për futboll”, përfundoi 35-vjeçari.
Top Channel