Anglia dhe frika nga penalltitë

22/06/2012 15:15

Anglia është e përgatitur për situatën më të keqe të mundshme në ndeshjen çerekfinale të EURO 2012 ndaj Italisë: barazim në 120 minuta dhe llotari e 11-metërshave.

Për futbollistët anglezë goditjet e penalltive janë një makth i vërtetë. Me penallti është eliminuar Anglia e Bobby Robson në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 1990 kundër Gjermanisë; Anglia e Glen Hoddle ndaj Argjentinës në Kupën e Botës 1998 dhe Anglia e Sven Goran Eriksson ndaj Portugalisë në Kupën e Botës 2006.

Edhe kur llotaria e 11-metërshave i ka buzëqeshur në çerekfinalet e EURO 1996 ndaj Spanjës, vetëm 4 ditë më vonë u eliminuan po me 11-metërsha ndaj Gjermanisë.

“Është e pamundur të harrojmë të shkuarën, por duhet të ecim para”, është shprehur trajneri aktual i “Tre Luanëve”, Roy Hodgson.

Në ditët e fundit, pjesë e seancave stërvitore të Anglisë janë bërë edhe goditjet nga pika e bardhë. Portieri Joe Hart është munduar të qetësojë tifozët e Anglisë kur në konferencën për shtyp është shprehur: “Vini bast se unë do të pres penalltitë e nevojshme dhe do të marr përsipër të godas. Sigurisht që do të shënoj.”

Ndeshja Angli-Itali do të luhet të dielën (ora 20.45) në stadiumin Olimpik të Kievit (Ukrainë).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA