”Nuk mund të fitoj çdo betejë”, 16-vjeçari pranon vdekjen

22/06/2012 10:50

Një 16-vjeçar në Britaninë e Madhe fitoi vëmendjen e gazetave kryesore në vend, pasi vendosi të pranojë me qetësi faktin që i mbeten vetëm pak javë jetë në rastin më të mirë dhe kërkoi të heqë dorë vetë nga mjekimi që mund t’i zgjaste jetën pak më shumë.

David Langton-Gilks u shpreh se tashmë ndihet i lodhur nga një betejë 5-vjeçare me kancerin në tru dhe si rrjedhojë, dëshiron vetëm të jetojë sa më i qetë kohën e shkurtër që i mbetet mbi Tokë.

I prekur nga një medulloblastoma, të riut iu dha se ishte shumë pranë rikuperimit të plotë vetëm disa javë më parë, por testet e fundit mjekësore treguan se tumori i tij kishte lëshuar metastaza dhe ishte zhvendosur edhe në shtyllën kurrizore.

Mjekët i bënë të qartë prindërve të djalit se fatkeqësisht, në gjendjen në të cilën ai ndodhet, nuk mund të bëhet më asgjë për të shpëtuar jetën e të riut dhe si rrjedhojë, iu këshillua që të rritej doza e radioterapisë dhe kimioterapisë, për të përmirësuar cilësinë e jetës së mbetur.

Megjithatë, pasi mësoi të vërtetën, vetë 16-vjeçari vendosi kundër çdo trajtimi. “Tashmë jam i lodhur me kurat. Në jetë, nuk mund të fitosh çdo betejë”, deklaroi David.

I riu, i cili ka nevojë për 15 tableta në ditë për të luftuar dhembjet dhe nuk frekuenton më shkollën, pasi sëmundja i ka dëmtuar vatrat e kujtesës afatshkurtër, ka vendosur të shijojë kohën e mbetur duke mësuar kitarën dhe duke praktikuar sërf, sportin që adhuron më shumë.

Për fat të keq, mjekët nuk japin dot garanci nëse ai mund të jetojë deri në korrik, për të qenë i pranishëm në mbrëmjen e diplomimit, por David nuk ka ndërmend të tërheqë zgjedhjen e tij.

”Dua të shijoj kohën e mbetur. Nuk ka kuptim që të shkoj në mbrëmjen e diplomimit i shtrirë në krevat. Tashmë e shoh jetën në një perspektivë krejt tjetër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA