FATOS BAXHAKU – Sipas Kristo Frashërit fillimet e së majtës në Shqipëri
datojnë që shumë herët, që më 1878. Në librin e tij “Historia e Lëvizjes
së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878-1941) ai citon
Sami Frashërin.
Ky paska shkruar në qershor të 1878 në gazetën Terxhyman I Shark: “… Socializmi është një sistem shpëtimtar, i cili nëpërmjet një administrimi më të mirë të shoqërisë njerëzore, kërkon ta bëjë atë të lumtur e të begatshme, kërkon liri e barazi për të gjithë njerëzit pa përjashtim, kërkon të mos shkelen të drejtat natyrore të askujt dhe kështu secili të gëzojë të mirat që i ka falur natyra… Socializmi është krejt e kundërta e sistemit të pronës së përbashkët. Sa sistem i urryer është ai i pronës së përbashkët, aq i pëlqyer duhet të jetë socializmi…”. Po sipas historianit të vjetër, socialist, apo simpatizantë të tij kanë qenë edhe Mati Logoreci, Nikolla Ivanaj, Hil Mosi e Mihal Grameno e plot të tjerë bashkëkohës të tyre. Greva e parë e punëtorisë shqiptare është organizuar në Shkodër më 1 Maj 1905. Me një fjalë historia, nëpërmjet veprës së goditur të Kristo Frashërit na rrëfen se idetë socialiste romantike, socialdemokrate, në përgjithësi ato që në kuptimin klasik quhen “të majta” nuk kanë lindur as me PKSH apo PPSH, as me socialdemokracinë e Musine Kokalarit apo të Kalakulës e Arbnorit, aq më shumë me PS apo me partitë e sotme që konsiderohen si të majta. Majtizmi shqiptar na paska pasur një histori shumë të gjatë. Ai sot duhet të ishte një lis hijerëndë, i rrahur nga stuhitë e kohës, por gjithsesi një lis i madh. Në fakt, majtizmi i sotëm duket se është bërë vetëm një pemë shëndetligë që ka nevojë për mjekime urgjente.
Kriza e parë e majtizmit shqiptar është padyshim një gjë që varet nga faktorë historikë globalë. Jo vetëm te ne, jo vetëm në krejt Lindjen postkomuniste europiane, por edhe në krejt botën shija e hidhur që lanë diktaturat komuniste i largoi njerëzit nga llogoret e majta. E vetmja rrugë për të qenë prezent në shoqëritë postdiktatoriale ishte, apo duhej të ishte, modernizimi i programeve, ideve, mënyrave të të bërit politikë, largimi nga ekstremizmi i rrugës, heqja dorë e qëndrimit prej revolucionari të fshehur. Ndër vende të tjera kjo rrugë ka funksionuar, te ne, me sa duket ende jo, dhe kjo çdo ditë e më tepër po e lë vendin pa një të majtë të fortë, një pjesë shumë të rëndësishme të politikës, për të cilën ka nevojë vendi, madje, nëse qeverisja aktuale nuk ngatërrohet vetëm me emrin e Kryeministrit, edhe vetë qeveria aktuale.
E majta, apo më mirë me thënë pjesa e saj kryesore, PS, ka do kohë që është bërë përjashtuese. Mbase liderët e saj kanë harruar se në procese të rëndësishme mund të jenë protagonistë po aq sa edhe përfaqësuesit e qeverisë. Duke qenë refuzues, përjashtuese, vetëizoluese ka ndodhur që shumë suksese që duhet të quheshin të politikës shqiptare, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, hapat drejt integrimit e tjera kësisoj, të konsiderohen prej masës së gjerë të popullit, pra edhe prej vetë votuesve tradicionalisht të majtë, si suksese të rivalëve politikë, madje më saktë si suksese të një njeriu të vetëm, Sali Berishës. Nëse e majta do të kishte qenë më aktive, sigurisht duke ruajtur pozicionin e saj opozitar, më përfshirëse, atëherë të gjithë ata hapa, të rëndësishëm vërtet, do të ishin konsideruar si sukses i krejt politikës shqiptare, pra edhe të vetë së majtës.
E majta shqiptare, e ka ulur nivelin e betejës politike nga ballafaqimi i ideve dhe programeve në luftë kundër një personi të vetëm: Sali Berishës. Aq fort është ngulitur kjo saqë duket se tashmë nuk është shumë kryesore mbërritja në qeverisjen e vendit, sesa vetë largimi i Berishës, apo më mirë “shporrja” sikurse përdoret rëndom nga politikanët e së majtës. Sa për të bërë edhe ca humor. Në Vlorën e 1997-s, atëherë kur emri i Kryeministrit të sotëm përdorej vetëm për t’u sharë qarkullonte një barsoletë e tillë. Një shok, shumë i shqetësuar i hapet shokut të vet më të ngushtë: Mbrëmë zura time shoqe në flagrancë me të dashurin. Nuk e di se si e mbajta veten të mos bëja ndonjë skandal. Ti ç’më këshillon si t’ia bëj hallit tani? Përgjigjja e shokut ishte në fakt një pyetje: Jo more, pse edhe këtë punë ta bëri Saliu?
Është thënë shumë herë se e majta në Shqipëri është më liberale se e djathta sa i takon jetës së brendshme politike. Ka shumë gjasë të jetë vërtet kështu. Por ama a kemi të drejtë të pyesim ndonjëherë nëse po ngatërrohet ca si tepër liberalizmi në jetën e brendshme partiake me hatërmbetjet, inatet e vogla fëminore, shikimet e vëngërta, me lloj-lloj thashethemesh, komplotesh të thurura ndër lokale të izoluara? Fakti që nga PS kanë dalë deri më tani disa parti është vallë shenjë e liberalizmit, apo e krizës së brendshme të së majtës.
Në PPSH, prej së cilës doli PS, ekzistonin disa lloj komunistësh. Ishte kasta kryesore që “hante” veten, vendin dhe kundërshtarët, ishin komunistët, a më mirë me thënë anëtarët e partisë, që e shihnin PPSH ose si mjet për mbijetesë, ose si trampolinë për të bërë karrierë, ishin dhe këta nuk qenë pak, edhe idealistët, ata që besuan deri në fund me doza të forta naiviteti se po bënin mirë për vendin. Zakonisht këta qenë edhe më të varfrit, ata që nuk përfituan asgjë nga një ëndërr mashtruese më shumë se 50-vjeçare. Gjithsesi, këta ishin më të ndershmit dhe kishin mbi kurriz një forcë të madhe: idealizmin. Ky ka qenë një forcë e madhe tradicionale dhe historike e së majtës kudo në botë. Aq shumë është përdorur idealizmi nga aktivistët e majtë në botë saqë shumë herë i kanë marrë, ose për të krisur, ose për ngatërrestarë, ose për naivë të pandreqshëm. Gjithsesi të qenët idealistë, njerëz të lidhur me jetën e thjeshtë të votuesve, njerëz që nuk mund t’i dalloje nga shokët e tjerë të lagjes, i jepte të majtës një lloj besueshmërie që zakonisht nuk e kanë njerëzit e së djathtës. Pa më thoni sesa të tillë ka ende në gjirin e së majtës?
Që të jesh intelektual, të tregohesh i zgjuar e i kënduar para të tjerëve, shpesh herë nuk mjafton që të fshihesh pas fjalive të stërholluara e të stërndërvarura, apo të thuash gjëra që edhe vetë nuk i ke të qarta. Populli, kërkon gjëra të qarta. Ka ikur koha e batutës së famshme: Sa bukur flisni ju artistët! As një fjalë nuk mora vesh. Çfarë fitoi e majta me atë shprehjen e çuditshme: Nuk ka rëndësi emri i Presidentit, por vetë procesi. Në fakt, emri i presidentit kishte rëndësi dhe të madhe fort madje.
Këto shënime janë hedhur me bindjen e thellë se e majta shqiptare është një pasuri e madhe e politikës tonë, madje e krejt shoqërisë tonë. Një e majtë e fortë, në opozitë apo në pushtet, e bën vendin më të qëndrueshëm, me europian dhe jetën tonë më të qetë. Porse nëse ai lisi i vjetër për të cilin folëm më lart nuk shërohet nga sëmundjet e tij, atëherë aq më shumë do të zgjatet e forcohet pushteti i një kaste të vetme. Dhe pastaj fundi dihet, sa më gjatë që një parti, apo një grup personash të rrinë në pushtet aq më shumë ka mundësi që edhe te ne të përsëriten skenarët e qeverisjeve të stërzgjatura ndër vendet arabe. Zgjidhja në këtë rast do ketë një kosto të lartë që Shqipëria nuk e meriton aspak.
Top Channel