Euro 2012, Bonucci: Italia, më e fortë se Anglia

21/06/2012 19:15

Leonardo Bonucci mendon se Italia është një skuadër më e fortë se Anglia. Qendërmbrojtësi i kombëtares italiane nuk është fshehur aspak në konferencën për shtyp duke thënë qartë se axurrët janë më të mirë se kundërshtarët e tyre në çerekfinalet e Euro 2012.

“Teknikisht dhe taktikisht jemi më të fortë duke marrë parasysh ndeshjet e zhvilluara deri tani, por në një ndeshje vendosin edhe faktorë të tjerë. Rooney? Kemi nisur ta studiojmë. Anglia në këtë turne ka luajtur si italianët. Mbrohet shumë mirë dhe godet në kundërsulm”, deklaroi futbollisti i Juventusit.

Në lidhje me problematikun Mario Balotelli, Bonucci u shpreh: “E njoh shumë mirë sepse kam luajtur me të kur ishte 17 vjeç tek të rinjtë e Interit. E qortoja shumë. Ndaj Irlandës shkova t’i mbyllja gojën kur shënoi golin dhe për këtë gjë më falenderoi pas ndeshjes. Bën budallallëqe, por është djalë i mirë. Nëse do të jetë i qetë dhe i buzëqeshur është një lojtar që mund të bëjë diferencën.”

Ndeshja Angli-Itali do të luhet të dielën (ora 20.45) në stadiumin Olimpik të Kievit (Ukrainë).

Top Channel