Cassano: E ëndërroja një gol të tillë

20/06/2012 10:00

Pas fitores së Italisë ndaj Irlandës dhe asaj të Spanjës ndaj Kroacisë, Antonio Cassano është shumë i lumtur për momentin që po kalon pas shumë problemeve që ka kaluar për të arritur deri në EURO 2012.

“Kam bërë mijëra sakrifica për të qenë pjesë e kampionatit europian dhe është një ëndërr që goli im ndihmoi Italinë për të arritur çerekfinalet. Kjo ka qenë ajo që doja që në momentin kur u sëmura”, thekson sulmuesi italian, i cili pësoi një ishemi në tru në nëntor të vitit të kaluar dhe u operua në zemër.

Në lidhje me Balotellin, futbollisti i Milanit u shpreh: “Është i ri, por unë kur kam qenë në moshën e tij kam qenë 10 herë më i çmendur. Nuk kemi të krahasuar. Unë e ekzagjeroja shpesh, ndërsa Mario ka disa shfryrje të çastit. Është një djalë i mirë, por i ka dalë nami tashmë dhe nuk e ndryshon dot.”

Duke folur për kundërshtarin e ardhshëm të Italisë në çerekfinale, Anglinë, Cassano deklaroi: “Anglezët kanë Rooney, i cili për mua është lojtari më i mirë në botë pas Messi dhe Cristiano Ronaldo.”

Për Cassano, Spanja vazhdon të mbetet skuadra favorite për fitimin e trofeut.

Italia dhe Angli do të ndeshen për çerekfinalet e EURO 2012 të dielën (24 qershor, ora 20.45) në stadiumin Olimpik të Kievit.

Top Channel