Blanc: Ndaj Spanjës të luajmë si Kroacia

20/06/2012 10:40

Laurent Blanc, trajneri i përfaqësueses franceze, theksoi se Kroacia tregoi se si duhet të luajë Franca ndaj Spanjës në çerekfinalet e EURO 2012.

Franca doli e dyta në grupin D pas humbjes me Suedinë të martën dhe do të ndeshet me Spanjën të shtunën (23 qershor, ora 20.45) në Donbass Arena të Donetsk (Ukrainë).

“Kroacia tregoi atë që duhet bërë kur luan ndaj Spanjës. Sa herë që kishte hapësirë mundohej ta shfrytëzonte në maksimum. Kemi përballë një nga skuadrat më të mira në botë dhe duhet të jemi realistë”, deklaroi tekniku i Francës.

Kroacia humbi 1-0 ndeshjen e fundit të grupit C ndaj Spanjës të hënën duke u eliminuar nga EURO 2012, por si rrallë here në vitet e fundit kampionët në fuqi të Europës u vunë në vështirësi nga loja e ballkanasve.

“Problemi është se Spanja do të ketë zotërimin e topit, por do të kemi mundësitë tona. Në një mënyrë apo në një tjetër duhet të luajmë shumë mirë që të fitojmë”, përfundoi Blanc.

Top Channel