
Hije trukimi mbërrijnë edhe nga sezoni 1996-1997 i kampionatit italian të futbollit. Daniel Bravo, ish-lojtar i Parmës dhe i kombëtares franceze rrefeu për “Yahoo Sport” se si ishte fiksuar në barazim ndeshja e emilianëve me skuadrën e Juventusit.
Aktualisht komentator sportiv, Bravo hodhi dritë mbi fiksimin e barazimit 1-1 mes Parmës dhe Juventusit, rast për të cilin ishte edhe ai në dijeni.
“Unë kurrë nuk kam qenë dakort për fiksimin e rezultatit të një takimi, por e kam pësuar një. Në sezonin 1996-1997, në ndeshjen përcaktuese për titullin kampion, ndeshje të cilën nuk do të mund të fitonim kurrë, në pushim të pjesës së parë, ramë dakort me kundërshtarët për barazim”, thotë Bravo.
Ish-mesfushori rrefen se ai vetë nuk ishte dakord dhe duke folur në shumës (ndoshta duke nënkuptuar edhe bashkëkombasin e tij, Lilian Thuram) shton se e kundërshtoi “marrëveshjen”.
“Nuk e kuptonim këtë marrëveshje. U thamë jeni të çmendur, ne mund të fitojmë takimin. Por lojtarët e tjerë na thanë; jemi në Itali këtu, rrini të qetë!”, tregon ish-futbollisti francez.
Parma e mbylli në vendin e dytë kampionatin e atij sezoni me 63 pikë, dy më pak se Juventusi kampion. Tre ndeshjet e fundit të emiljanëve ishin kundër Juventusi, Veronës dhe Bolonjës. Ndaj Veronës dhe Bolonjës morën pikë të plota, ndërsa ndaj Juventusit, takimi u vendos nga një barazim 1-1, një autogol i Zidane në minutën e 29 dhe barazim i Amorusos me 11-metërsh në minutën e 43.
Në momentin e fiksimit të takimit, Juventusi ndodhej 6 pikë më shumë se Parma, ndërsa në javën e fundit, u shpall kampion me 2 pikë më shumë.
Top Channel