Rrini më qani burrin, se unë po shkoj në dasmë

19/06/2012 00:00

FILIP ÇAKULI  – Berisha ekstazohet në darkë para televizorit, duke parë
veten të mbajë katër fjalime në ditë, nga tuneli i pambaruar, që mund ta
zërë brenda (larg qoftë) te grupi kuvendor për t’u treguar përrallën e
radhës përfundon në Parlament për të sharë nga nëna, baba e motra
deputetë kundërshtarë; Rama nga ana tjetër këshillohet me ata të sërës
së tij se si të hajë ngjalën, pastaj del publikisht e shpjegon se nuk
ishte ngjalë, po levrek i freskët duke përfunduar në darkë në ndonjë
mejhane për të sharë deputetët e tij, që nuk i takon as kur i ka
përballë.

Nano, pasi e shëtit nga qielli me avion këtë vend të rraskapitur, i quajtur Atdhe, zbret ndonjëherë këtyre anëve dhe pasi pi tri gota përmallohet për shokët e tij socialistë, që për 21 vjet nuk janë ndarë me njëri-tjetrin (a thua se socialistët paskan jetuar në Vjenë këto vitet e fundit) dhe jep ultimatumin që nëse nuk e bëjnë president, kryeministër apo kryetar partie, do t’i pushtojë alahaxhiqamilshe, me luftëtarët që ka në krah, po që nuk i sheh askush.

Me Berishën dhe Ramën do të thoshim se ishim mes Shiles dhe Karibdit, por me daljen në skenë të Nanos jemi te trekëndëshi  i Bermudës, ku zhduken në mënyrë misterioze jo vetëm pasuritë e këtij vendi (që kushedi sa i pasur ka qenë; merr e merr e s’ka të mbaruar), por një ditë do të shohim se edhe Atdheu, për të cilin betohen kuqezinjtë, do të përpihet, duke i lënë atdhetarët me gisht dhe me himnin e flamurit në gojë.

Ndërkohë, ky popull trim, liridashës dhe punëtor, nga Jugu mbetet i rrethuar nga policia, si Kruja me sulltan Muratin dikur, po që krahasimi ka defekte se këtu kemi të bëjmë me shqiptarë që rrethohen nga shteti i tyre shqiptar, që nuk ua mban të hyjnë në tokën e tyre, të cilën duhet ta kontrollojnë dhe administrojnë; ndërsa nga Veriu vazhdon vetëgjyqësia mesjetare, me kafshë që nuk njohin as ligj e kanun dhe vrasin me gjakftohtësinë e një krimineli vajzën 17-vjeçare, që në varfërinë ekstreme ku jetojmë, punonte arën, për të siguruar bukën e gojës.

Po a ka lidhje ky realitet ku jetojmë ne atdhetarët e thjeshtë, krah më krah me kuqezinjtë, me realitetin virtual që krijojnë politikanët tanë, zbukuruar me lajle e lule nga mediat tona krejt të pavarura, që i vënë mikrofonin në gojë, duke dalë nga tualetet, Berishës, Ramës, Nanos me pyetjen idiote standarde “çfarë bëtë atje brenda, çfarë kishit në dorë?” Pastaj shfaqet papritur ambasadori amerikan, i cili i kthen përsëri në tualet të lajnë duart, për të takuar atë dhe për të marrë leksionin e radhës në lidhje me demokracinë.

Muajt e fundit politika, natyrisht edhe ne të mediave, është marrë me Presidentin e ri, se të vjetrin e kanë braktisur me kohë, a thua se nuk ekziston fare. “Fiks fare” ka intervistuar popull anekënd dhe pyetjes kë doni ju dhe çfarë doni, iu përgjigjën: “Duam ujë”, në Sukth, “Duam bukë”, në mbarë atdheun tonë, më saktë, në mbarë kopshtin tonë të lulëzuar, “Duam ilaçe”, në të gjitha spitalet tona që janë në standardet europiane, “Duam shkollë’, në qindra e qindra familje të ngujuara; e çfarë nuk donin këta votues të thjeshtë, po vetëm president nuk donin. Dhe e përcollën gazetaren tonë të shkretë me një fjalë të urtë: mirë dëbora, mirë dhe ngrica, po ç’kërkon kjo frifiçka?

Hajde Muhamet me kë bën muhabet i thonë një fjale të urtë. Kujt t’i flasësh? Një diktatori profesionist, një amatori pesimist apo një të papërgjegjshmi optimist? Udhëheqësit tanë nuk kanë kohë të lirë të merren me hallet e shumta të popullit të tyre, por i gërryejnë sytë njëri–tjetrit, për ditë e për natë dhe për këtë nuk ndiejnë lodhje. Keni parë ju ndonjë reagim publik të këtyre burrave ndaj vrasjes gjakftohtë të vajzës 17-vjeçare për gjakmarrje? Sepse ngjiren duke u mburrur çfarë të mirash i kanë sjellë këtij populli, pa kuptuar se ku e kanë katandisur me bëmat e tyre.

Tek bredhin nëpër Europë e Amerikë për të dalë një foto apo për t’u shtrënguar dorën jo homologëve të tyre, po ndonjë ndihmësi të ndihmësit, le të shkojnë një herë andej nga mbretëron Mesjeta e errët, të futen në kullat e ngujimit e të flasin me fëmijë të pafajshëm që nuk dinë shkrim e këndim se nuk vënë dot në shkollë. Se i pret vrasësi në rrugicën e sapoinaguruar nga Kryeministri, i cili nuk pyet të hap zjarr edhe mbi fëmijët, natyrisht në zbrazëtinë e një shteti inekzistent. Cili shtetar në botë do të mburrej se ka bërë mrekullira në vendin e tij nëse do kishte jo njëmijë fëmijë të mbyllur nëpër kulla, që e shohin botën nga frëngjitë, por edhe një fëmijë të vetëm që i pikojnë lotët se nuk ka mundësi të dalë me shokët, të luajë dhe të shkojë në shkollë? Vetëm rasti ynë politik është unikal, me shpresë specie në zhdukje.

Vini re fjalimet, gjithë logorinë e udhëheqësve tanë? Kryeministri deklaron se ia ka kaluar Europës, se jemi vendi i parë në botë…, vendi i dytë në botë. Kemi lënë mbrapa Francën, Italinë duke u ngrënë dhëmbë për dhëmb me Gjermaninë. Se jemi kopshti më i lulëzuar në Europë. Fanarndriçues, shkëmb graniti që na kanë zili të gjithë do të thoshte ati i tij shpirtëror, shoku Enver. Ky i fundit të paktën nuk ka lënë të marrin gjakun e gjyshit mbi një fëmijë të pafajshëm. Na lini o zoti Kryeministër, të jemi andej nga mesi i Europës dhe jo në krye të saj se po ta marrin seriozisht europianët na mbytën me refugjatë. S’kemi këllqe të mbajmë miliona francezë, gjermanë, grekë, italianë. Katër milionë turistë që vijnë, sipas jush, këtyre anëve, dëgjojnë për mrekullitë ekonomike nën udhëheqjen tuaj dhe na kërkojnë strehim politik, për të rrojtur dhe ata të shkretët ca ditë të bardha bashkë me ne.

Kryetari i opozitës, duke cicëritur në tuiter, që lexohet e ndiqet me vëmendje në të gjitha katundet, në sajë të mundësisë që i krijoi Kryeministri me internet në çdo cep të vendit, deklaron se Presidenti u zgjodh sipas Kushtetutës, por ky veprim na largoi nga Europa, a thua se Europa ka kërkuar që ne ta shkelnim ligjin themelor për të na afruar. Ec e merre vesh, tamam si shoku Enver kur na mësonte se sa më e fortë të jetë diktatura, aq më e thellë është demokracia.

Hane Shan, hane Bagdad, i thonë kësaj. Më popullorçe, ku të ha ty e ku të kruajnë këta, për të mos e banalizuar me Stambollin që digjet. Ankesat e kreut të opozitës, më saktë protestat për keqqeverisjen të kujtojnë atë që hante bajga dhe ankohej se gjente një qime në to.

Halle,hallekjo dynja. Ca kanë hallin si të shlyejnë borxhin e bukës në defterin e dyqanit, ca kanë hall të dalin në oborrin e kullës ku janë ngujuar për të parë diellin të plotë, ca të tjerë kanë hall si të blejnë një ilaç të shtrenjtë për të shtyrë dhe ca ditë jetë, ndërsa Berisha ka vetëm një hall të vdesë Kryeministër, Rama ka vetëm një hall: të bëhet Kryeministër dhe Nano ka vetëm hallin se si të largojë Ramën nga PS-ja. E shikoni që halli hallit nuk i ngjan?!

Ky rast politikanësh nuk kanë hall nëse i duam ne. Ecin me parimin e Neronit: Më pëlqen më mirë të jem i urryer, sesa i dashuruar, sepse për të qenë i dashuruar nuk varet vetëm nga unë, ndërsa për të qenë i urryer varet krejtësisht nga unë!


Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA