Paddy Power paguan gjobën e Bendtner

19/06/2012 00:00

Në ndeshjen kundër Portugalisë sulmuesi danez, Nicklas Bendtner gjatë festimeve pas shënimit të njërit prej dy golave për kombëtaren e tij, “tregon më shumë” seç duhet.

Kamerat që transmetonin direkt ndeshjen kapën të brendshmet e lojtarit ku mund të lexohej lehtësisht “Paddy Power”, emri i një kompanie irlandeze bastesh. Për gjestin dhe për shkelje të rregullave të marketingut, UEFA vendosi të ndërmarrë një gjykim kundrejt lojtarit.

Në përfundim të gjykimit, Bendtner u dënua me një ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh. Denimin me pezullim, sulmuesi do ta vuajë në Euro2016, ndërsa sa për gjobën e majme, ka menduar kompania të cilën ai reklamoi.

Kompania irlandeze, nëpërmjet një komunikate për mediat thotë se ka vendosur të paguajë gjobën e vendosur ndaj lojtarit duke “ftuar” të gjithë lojtarët që veshin mbathjet fatsjellëse të kenë kujdes të mos i shfaqin ato në publik.

“Bendtner kishte veshur mbathjet fatsjellëse dhe ne, ashtu si dhe klientët tanë, nuk mendojmë se për këtë duhet të paguajë pasojat kaq të ashpra, fundja për një gjest që synonte vetëm të ishte argëtues. Këshillojmë të gjithë lojtarët e Europianit që veshin të brendshme fatsjellëse që t’i fshehin mirë ato në rast se shënojnë gol”, thuhet në faqen zyrtare në internet të “Paddy Power”.

Top Channel