Një dite pasi Top Channel publikoi shifrat e shpenzimeve për lobimin
politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy ish-ambasadorët e
Shqipërisë në Washington, Roland Bimo dhe Fatos Tarifa shpjegojnë
mekanizmin e lobimit dhe përse është e nevojshme të lobohet.

“Termi lobim, ka marrë kuptimin edhe të influencës që ushtrohet nga një shtet apo organizatë politike, pranë një shteti apo organizate tjetër. Padyshim që në vend të parë në botë është Washingtoni, është qendra botërore e lobimit dhe kjo vjen për shkak të sistemit politik amerikan, që është tepër i decentralizuar, tepër pluralist dhe ku të gjithë organizatat, njerëzit, grupimet do ta ndjenin shumë të disfavorizuar nëse nuk do të angazhoheshim në aktivitetet e lobimit”, thotë Bimo.

“Lobimi është një industri fitimprurëse, prodhon para për një klasë të madhe individësh dhe organizatash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të përqendruara në Washington, ku ndërmjetësohet në emër dhe në favor të organizatave të ndryshme, të shteteve, të qeverive, të bizneseve të mëdha pranë Kongresit Amerikan dhe pranë Administratës Amerikane. Përgjithësisht organizata lobiste janë të përbërë nga njerëz me lidhje të forta, me pushtetin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht ish-senatorë, ish-kongresmenë, ish-anëtarë të administratës në SHBA,të cilët për shkak të lidhjeve mund të ndërmjetësojnë në interesa të bizneseve amerikane, bizneseve të huaja apo shteteve që përfaqësohen në Washington nga ambasadat e tyre”, thotë Tarifa.

Sipaz zotit Tarifa është një rast i rallë që partitë politike, si në rastin e atyre shqiptare t’i drejtohen Washington-it për të lobuar në interes të tyre.

“Lobizmi në Amerikë dhe mbështetja financiare e këtij aktiviteti bëhen gjithnjë në interesa kombëtare të vendeve që kërkojnë të lobojnë në Washington, jo në interes të individëve apo të partive politike. Kur vjen puna te shpenzimet e mëdha të partive politike shqiptare për të lobuar në Washington, kjo për mua është dicka e dyshimtë, sepse problemi është ku del ajo para? Nëse partitë politike nuk deklarojnë të ardhurat që kanë nuk dihet nga del paraja që ato investojnë për të lobuar. Kjo nuk është bërë ndonjëherë transparente, siç nuk janë bërë transparente asnjëherë shpenzimet e partive politike në Shqipërisë për fushatat elektorale”, thotë Tarifa.

Të dy ish ambasadorët ndajnë të njëjtin qëndrim kur flasin për nevojën e transparencës së parave të përdorura në lobim. Zoti Tarifa e ilustron këtë me një shembull të përfshirjes së tij, në një kontratë për lobuar.

“Në vitet 2003-2004 për dy vite me radhë, qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshje me një organizatë lobiste në Washington, në një vlerë prej 250 mijë dollarë në vit. Fokusi kryesor i lobimit ishte mundësimi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pra ky ishte fokusi tepër i qartë,i përshkruar në një marrëveshje të detajuar, të miratuar nga Ministria e Jashtme, të miratuar nga qeveria shqiptare dhe gjithashtu nga Parlamenti shqiptar, për shkak se ishin para publike dhe duhej të merrte miratimin e parlamentit. Kontrata me këtë organ u përsërit për dy vjet me radhë”, tha Tarifa.

“Duhet pranuar që aktiviteti i lobimit në Washington është i dosmosdoshëm, qoftë nga shtetet, qoftë nga organizatat politike, sepse shikojmë që në Washington shtete si Britania, Izraeli që kanë ambasada të jashtëzakonshme dhe një personel tepër të kualifikuara dhe harxhojnë para për lobimin. Në rastin e Shqipërisë, në mënyrë të veçantë kur kemi të bëjmë me paratë e taksapagueseve, do të ishte mirë të ishte më shumë transparencë, në mënyrë të veçantë për objektivat që kërkohet të arrihen përmes lobimit dhe në fund fare të bëhet edhe një bilanc nëse janë arritur ato objektiva”, thotë Bimo.

Investigimi i Fondacionit amerikan ‘Sunlight Foundation’, në kapitullin për Shqipërinë ka evidentuar edhe senatorët dhe kongresmenët amerikanë, të cilët janë paguar për të lobuar në favor të qeverisë dhe partive politike.

Ata janë senatorët James Demint, Richard Burr, John McCain, Graham Lindsney dhe Richard Lugar. Ndërsa nga kongresmenët më kontaktuari rezulton Eliot Engel, pasuar nga kolegët e tij Robert Wexler dhe Dan Burton. Lobimi i tyre është i ligjshëm pasi të ardhurat e përfituara deklarohen duke paguar edhe tatimet përkatëse. Ndërkohë  në asnjë rast deri më sot, as qeveria dhe as partitë politike nuk kanë bërë trasparente paratë e përdorura për lobim.

Në rastin e qeverisë ku paratë u përkasin takspaguesve nuk është dhënë asnjë shpjegim se çfarë është përfituar nga shpenzimi i 825,000 $. Ndërsa partitë politike  mbeten hermetike për të treguar burimin e këtyre shumave të konsiderueshme, të përdorura në lobim.

Top Channel