Partitë, 1 milion USD për lobim

18/06/2012 00:00

Për herë të parë zbulohen një sërë faktesh, se ku i kanë shpenzuar më
shumë se 1 milion dollarë për lobim, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë periudhës 2009-2010,
Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim
dhe Qeveria.

Bazuar në rezultatet e investigimit të dy organizatave jo qeveritare në SHBA, projekti “Open Data Albania”  publikoi të dhënat e zgjeruara për pagesat, datat, vlerën e tyre, çështjet për të cilat është lobuar, firmën lobuese, formën e kontaktit dhe emrat e përfaqësuesve të rëndësishëm të përfshirë në proceset lobuese sipas interesit të qeverisë shqiptare.

Nga tre partitë politike më të mëdha në vend që kanë shpenzuar për lobim rezulton se LSI ka paguar 154,298 dollarë, PD 120,000 dollarë, PS 82.250 dollarë, ndërsa qeveria 825,000 dollarë.

Hulumtimi mbi lobimin e partive politike shqiptare në SHBA zbardh një numër të zgjeruar kontaktesh edhe të Partisë për Drejtësi dhe Integrim mbi çështjen çame. Por në rastin e PDI-së nuk konstatohen pagesa kokrete.

“Eshtë e rëndësishme të publikohet çdo lloj kontakti, ashtu sikurse edhe transaksionet financiare të lobimit shqiptar, qoftë ky lobim qeveritar apo i aktorëve politikë, siç janë partitë, sepse lidhet me disa koncepte të transparencës, por edhe të politikëbërjes apo mirëqeverisjes në vendet tona. Eshtë tepër interesante t’i ofrohet publikut të gjerë, opinionistëve apo analistëve shqiptare, atyre që studiojnë performancën politike në Shqipëri, të shohin se cilat janë kontaktet, në çfarë niveli janë ato dhe mbi të gjitha cilat janë cështjet për të cilat politika shqiptare, aktorët politikë shqiptarë synojnë të kenë lobim, ndërmjetësim dhe mbështetje amerikane”, thotë Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive ODA.

Të dhënat tregojnë se qeveria shqiptare nëpërmjet firmës lobuese ‘Patton Boggs’ gjatë periudhës 16 Gusht 2010-20 Dhjetor 2010 ka shpenzuar 825,000 $.

Fondacioni amerikan ‘Sunlight Foundation’, të cilit i referohet “Open Data Albania” ka zbuluar se këto para qeveria shqiptare i ka shpenzuar për të lobuar kryesisht në thithjen e fondeve në formë ndihme nga qeveria amerikane, që lidhen me përfitimin e ndihmës nga Departamenti Amerikan i Agrikulturës, ndihmës monetare nga Fondi i Milleniumit, si dhe për mardhëniet bilaterale. Fusha e lobimit dedikuar thithjes së fondeve amerikane tregon vështirësitë financiare të qeverisë gjatë kësaj periudhe kur është lobuar.

Partia që shpenzuar më shumë para për të lobuar është LSI, me vlerën 154,298 $.Kjo shumë është paguar gjatë periudhës kohore 13 Prill 2009 -3 Prill 2010. Gjatë kohës kur LSI ishte në opozitë ka përdorur kompaninë lobuese ‘Dutko WorldWide LLC’, kryesisht për këshillim për çështje të fushatës zgjedhore.

Në pesë raste rezulton se kongresmeni Eliot Engel është kontaktuar për llogari LSI-së. Pas hyrjes në koalicionin qeverisës strategjia lobuese e LSI ndryshon duke përdorur kompaninë ‘Blue Star Strategies LLC’, ndërsa çështjet lobuese përqëndrohen në edukimin e udhëheqësve të rinj.

Gjatë periudhës 14 Janar 2009 -12 Qershor 2009, PD ka shpenzuar për të lobuar në 20 raste, nga të cilat në 10 raste paratë janë shpenzuar për vizitat e nënkryetares së PD-së dhe kryetares së parlamentit zonjës Jozefina Topalli. Ndërsa në pesë raste kompania lobuese e PD-se, ‘BKSH Associates’ ka ndërmjetësuar për takimet e kryeministrit Berisha.

Strategjia lobuese e PS duke shpenzuar 82,250 $ për periudhën 12 Maj 2010 deri më 3 Shtator 2010 rezulton të jetë përqëndruar në sensibilizimin e shqetësimeve të opozitës, nëpërmjet mediave ndërkombëtare.
Kompania lobuese e kontaktuar nga socialistët ka negociuar me disa media të rëndësishme si ‘Washington Post’, ‘USA Today’, ‘Zëri Amerikës’, ‘The Economist’, ‘Newsweek’ etj për të publikuar intervista apo shkrime me drejtues të lartë të opozitës. Në dy raste është lobuar pranë Komitetit të Helsinkit për çështje që lidheshin me situatën politike në Shqipëri, përfshi ato në realizimin e takimeve me disa kongresmenë.

Top Channel