EURO 2012, Low: Merkel nuk më bën formacionin

19/06/2012 20:05

Joachim Low nuk u prononcua mbi ngjyrimin politik që ka marrë çerekfinalja e EURO 2012 që Gjermania do të luajë ndaj Greqisë më 22 qershor duke e cilësuar thjesht si një “ndeshje normale futbolli”.

Takimi i dytë çerekfinal i turneut që po zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni është cilësuar nga mediat e të dyja vendeve si “sfida e Eurozonës” sepse përballet vendi më i prekur nga kriza ekonomike (Greqia) me vendin që imponon politikat në të gjithë Bashkimin Europian.

“Ndaj Greqisë është thjesht një ndeshje futbolli. Unë me Angela Merkel (kancelaren gjermane) kam një marrëdhënie të mirë dhe kemi një marrëveshje së bashku: ajo nuk më thotë lojtarët që duhet të hedh në fushë dhe unë nuk i them se çfarë vendimesh politike duhet të marrë”, deklaroi tekniku i Gjermanisë.

I pyetur se sa do të ndikojë mungesa e Karagounis tek Greqia, Low theksoi: “Është lojtari me më shumë “tru” i rivalëve. Është lidhja mes mbrojtjes dhe sulmit dhe sigurisht që mungesa e tij do të ndihet tek grekët.”

Mesut Ozil, i cili ende nuk ka shkëlqyer në EURO 2012, nuk u harrua nga gazetarët.
“Pres “shpërthimin” e Ozil pas ndeshjes së grupeve, ashtu siç bëri në Botëror”, preu shkurt Low.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA