Tenisti godet me shkelm gjyqtarin

18/06/2012 10:55

David Nalbandian nuk ka mbajtur dot inatin pasi gaboi një goditje gjatë finales së turneut AEGON në Queen’s Club dhe goditi me shkelm një tabelë reklame.

Fatkeqësisht për të, një nga arbitrat e vijës që ndodhej pas tabelës u dëmtua pasi fuqia e goditjes i përplasi tabelën në këmbë duke i shkaktuar një të çarë.

Kjo gjë bëri që tenisti argjentinas, ish-numri 3 i botës, të skualifikohej nga finalja për “sjellje antisportive”. Ndeshja dhe titulli kampion i turneut shkuan për kroatin Marin Cilic.

30-vjeçari Nalbandian kërkoi falje për incidentin, por shtoi se nuk ishte i nevojshëm skualifikimi.

Në intervistën pas ndeshjes, Nalbandian theksoi: “Më vjen shumë keq. Ndonjëherë nevrikosemi jashtë mase gjatë lojës dhe dalim jashtë kontrolli. Ishte një gabim nga ana ime. Të gjithë bëjmë gabime që më pas i paguajmë.”

Top Channel