Vetëm pak kilometra nga kryeqyteti, fshehur diku pas shpatullave të tij, marrin frymë zona të harruara, të lëna pas dore a thua se jane pjese e një realiteti tjetër paralel që qëndron larg shumë larg prej qytetërimit.
Pak kush i njeh, pak kush i shikon, pak kush pyet per to edhe pse aty jetojnë njerëz, jetojnë baballarë, jetojnë nëna, jetojnë gjyshër, femijë, që mbijetojnë në kushtet e varfërisë që po u merr frymën e po u shuan jetët.
Rruga fort e shkelur që lidh kryeqytetin me Elbasanin, në Qafë-Krrabë, diku në kilometrin e 29 të saj, dredhon përmbi kryet e një fshati që pak vetë e dinë se egziston edhe pse ai është aty i fshehur në një gropë të gjelbërt e të rrethuar nga kodrat. Asnjë tabele, asnjë shenjë treguese, veç një shteg që zhduket papritur nga aksi kryesor e që të drejton për në hyrje të tij.
Mjaftojnë vetëm disa sekonda në fshatin Kus, për t’u përballur me një realitet që shumë besojnë se është zhdukur apo fshehur diku në arkivat e vjetra fotografike. Shtëpi të gjymtuara të ndërtuara kushedi se kur, e banorë fytyrë rreshkur e drobitur, që çapiten lart e poshtë ndër rrugicat e ngushta.
Kudo fshati të ofron të njëjtën pamje të sfilitur e të zhuguritur keqazi nga harresa e gjatë. “Këtu nuk ka asnjë lloj të ardhure, mezi sigurojmë bukën, mezi sigurojmë thesin e miellit për bukë, jo të bëjmë shtëpi e ndërtese, por këtu nuk kemi as për të ngrënë gjë tjetër veç bukë thatë”, shprehet një banor i zonës.
Shtëpive, varfëria është ulur këmbëkryq duke marrë herë herë formën e ithshme të mizeries. Banorë që vuajnë, që përpiqen të jetojnë mes problemeve e halleve që për ata ngrene krye nga të katra anët.
“Nuk kam asnjë orendi në shtëpi, as televisor, as lajm s’dimë çbëhet, lavatriçe jo, frigorifer jo, asnjë prej kushteve kryesore. Jeta këtu është shumë shumë e vështirë”, thotë një banor i dytë.
Me zemerbutësinë karakteristike të fshatrave të Tiranës, banorët e Kusit duken si të mbështjelle mes morsës së braktisjes që i ka mbërthyer keqazi në një kohë të shkuar.
Në fshatin pa shkollë, shpesh pa ujë e drita, banorët janë perpjekur të mbajnë frymën gjallë me bujqësi. Por, toka e pakët e çmimet e kripura të karburantit, plehut e gjithkaje tjetër të nevojshme, nuk u kanë lënë ndër duar asgjë, perveç ankthit të përditshëm për të nxjerrë bukën e gojës.
“Ia dalim me sakrifica të mëdha dhe borxhe, se fitim nuk kemi. Kemi pak tokë dhe nuk na del asgjë. Jetojmë e ushqehemi me sakrifica të jashtëzakonshme. Për punë, as që bëhet fjalë”, thotë një tjetër kusian i mjeruar.
Disa përpiqen të sigurojnë mbijetesën duke shkëmbyer ushqime me njëri-tjetrin , teksa shumica janë mbytur listave të borxheve në dyqanet më të afërt që ndodhen larg disa kilometra nga fshati.
Tjetërkund skamja merr fytyrën e familjeve me gjashtë apo shtatë anëtarë që lidhen trishtëm pas fijes vetëm të një pensioni , të mjaftueshëm për cikërrima e asgjë më shumë. “Jetojmë me borxhe. Kam marrë 40 mijë lekë dhe nuk e di nëna kur mund t’i shlyej. Kam marrë miell me mbajtur frymën gjallë, nuk dimë çtë bëjmë”, lëngon një grua e moshuar.
Banorët e Kusit ngrenë supet me shikimin e përhumbur që përpiqet të shikojë përtej jetës së këtushme, ndoshta diku lart, atje nga ku vijnë ditë e natë uturimat e makinave drejtuar Tiranës e Elbasanit.
Kusi i vogel e banorët e tij janë sërisht aty, të strukur në krahet e natyrës, në shtëpite e tyre përdhese , në tryezat boshe, e çanakët e ndryshkur, me duart e rrahura nga koha e shpirtin që lengon për të mbijetuar, banorët e Kusit lundrojnë sërisht aty në jetën që duket sikur u ka ngrirë një shekull më parë.
Top Channel