DORIAN KOCI – Më në fund pas një intrige të gjatë, prapaskenash dhe
kulisash politike u finalizua procesi i përzgjedhjes së Presidentit të
Republikës. Nga dita e hënë e javës së shkuar, Shqipëria ka një
President të zgjedhur, i cili ka marrë dhe përshëndetjet e ambasadave të
huaja që e monitoruan nga afër procesin e zgjedhjes së tij.
Ashtu si dhe pesë vjet më parë, mazhoranca ia arriti qëllimit të ketë një figurë të saj si përfaqësuesin më të lartë të kombit. Por në ndryshim nga hera e parë ku për zgjedhjen e z. Topit iu desh të merrte dhe mbështetjen e gjashtë votave të vlefshme nga opozita për të arritur pragun e tre të pestave të deputetëve, kësaj radhe në bazë të ndryshimeve kushtetuese të realizuara në vitin 2008, presidentit të ri i duheshin 71 vota, çka përtej spekulimeve nuk rezultuan të vështira për t’i siguruar. Zoti Bujar Nishani, Presidenti i porsazgjedhur i Shqipërisë mori 73 vota nga mazhoranca qeverisëse duke treguar dhe njëherë solidaritetin e koalicionit që po drejton vendin që nga viti 2009 dhe fundin e një ëndrre vere për mbështetësit e opozitës që kishin filluar të ndiheshin më mirë pas takimit Meta-Rama në gjirin e Lalëzit.
Për të arritur këtu, për hir të së vërtetës pati një seri negociatash me opozitën që vazhdimisht këmbënguli në modalitetet e procesit sesa në dhënien e konsensusit për një kandidaturë apo dhe paraqitjen e një kandidature të saj. Ndoshta e kompleksuar dhe nga kandidatura e vetofruar e z. Nano në sfond dhe nga fakti që nuk i kishte numrat e mjaftueshëm, opozita lejoi të rrëshqiste procesin drejt asaj që ajo që dëshironte më pak zgjedhjen jo konsensuale të Presidentit dhe akoma më keq të një ministri të qeverisë, gjë që e kish kundërshtuar vazhdimisht që në fillim të procesit. Opozita në këtë proces humbi shansin e një fitoreje morale që do i kishte dhënë shumë më tepër pikë në sytë e opinionit publik duke mbështetur emrin e një kandidature të fortë politike të majtë, nisur dhe nga fakti që në këta 22 vjet demokraci presidentët e republikës kanë qenë më së shumti nga e djathta dhe e majta ka pasur vetëm një të tillë. Pavarësisht faktit se nuk do të arrinte që të zgjidhej, kjo kandidaturë do shërbente si pikë bashkimi dhe entuziazmi për gjithë elektoratin e majtë që pas zgjedhjeve të 2009 dhe të 2011 ndihet paksa i tulatur dhe i çorientuar për të kuptuar humbjet e certifikuara nga kolegjet zgjedhore.
Gjithsesi, zgjedhja e një politikani karriere dhe me aftësi qeverisëse është shumë më mirë sesa zgjedhja e një teknicieni në krye të shtetit dhe shumë shpejt opinioni publik do të ketë rast që ta provojë se zgjedhja e tij nuk ishte një shans i humbur në krahasim me kandidaturat e tjera. Në një nga daljet e tij të para në publik pas zgjedhjes z. Nishani u shpreh se do të ishte shumë më i lumtur nëse do të kishte marrë dhe vota nga opozita , të cilën sipas e tij e kuptonte që duhej të respektonte disiplinën partiake. Gjithsesi, sipas tij, ky fakt nuk do ta pengonte atë që të ndërmerrte kontakte politike të menjëhershme me opozitën me sa duket për t’i hequr asaj çfarëdolloj paragjykimi apo dhe për të themeluar një dialog të shëndoshë politik në vend. Sigurisht që kjo është një nga sfidat që has çdo president që zgjidhet qoftë konsensual apo jo dhe për hir të së vërtetës Shqipëria dhe jeta politike e saj ka shumë nevojë për arritjen e këtij dialogu, por në sfond besoj se sfida më e madhe e z. Nishani do të mbetet reforma në drejtësi e braktisur nga presidenti aktual në detyrë dhe ish-nënkryetari i KLD-së për shkak të ambicieve të tyre politike. Sistemi i drejtësisë gjendet në një nivel shumë të ulët performance aq sa në të gjitha raportet ndërkombëtare është nga më të kritikuarit. Në këtë sens tingëllonte shumë bajate që në piramidën më të lartë të shtetit të qëndronte një përfaqësues i këtij sistemi si u fol gjerësisht gjatë këtyre ditëve. Për më tepër, me të drejtë apo pa të drejtë si u përfol shumë gjatë këtyre ditëve jo vetëm për kandidaturën Zaganjori, por dhe për emrat e tjerë të lakuar, kriteri me të cilin mateshin kandidaturat nga gjyqësori nuk ishte aftësia e tyre profesionale, por paragjykimi i vendimeve të dhëna nga ta, në favor të qeverisë apo të opozitës. Në një shtet normal ku pushtetet janë të ndara dhe ku sigurisht dhe ne mundoheni ta klasifikojmë veten, paragjykimi në këtë farë mënyre i vendimeve dhe aq më tepër marrja parasysh e tyre si një kriter përzgjedhës do të tingëllonte paradoksale.
Ky lloj paragjykimi i vendimeve vjen nga marrëveshja e arritur në vitin 2002 mes dy partive kryesore ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e KLD zgjidhen nëpërmjet një konsensusi partiak që ndoshta për frymën shumë të polarizuar të atyre viteve ka dhënë efekt, por për kohën tonë është bërë një mjet paragjykimi shumë i fortë. Shqipëria e vitit 2012 që pretendon të marrë statusin e vendit kandidat nuk është më ajo e dhjetë viteve më parë ndaj një reformim sa më i thellë në emërimin e gjyqtarëve, por dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe KLD do të ishte një vendim i shumë pritur që do të sillte ndryshime cilësore në fushën e shumëpërfolur të drejtësisë. Zoti Nishani për një farë kohe ka qenë ministër Drejtësie dhe besoj se e di shumë më mirë se kushdo tjetër se ku “pikon çatia” në godinën e drejtësisë, ndaj besoj dhe pritshmëria ndaj veprimeve që ai do të ndërmarrë për ta reformuar këtë sektor është shumë më e madhe sesa e paraardhësve të tij. Opozita shqiptare e quajti procesin e zgjedhjes së tij sipas Kushtetutës, por të njëanshëm, por gjithsesi kjo gjë nuk duhet ta pengojë për të filluar të marrë pjesë fuqishëm jo vetëm në dialogun politik në vend, por dhe të japë kontributin e saj nëpërmjet kapaciteteve të shumta intelektuale që zotëron në fushën e drejtësisë. Sigurisht kjo gjë nuk mund të arrihet nëpërmjet forcimit të sistemit të bipartitizmit që deri më tani ka rezultuar i dështuar, por nëpërmjet çmontimit të tij dhe vendosjes së një sistemi gjyqësor vërtet të pavarur. Shqipëria ka nevojë për më shumë frymëmarrje demokratike jashtë skenave klasike të dominimit të publikes nga politika ndaj le ta konsiderojë sfidën e Presidentit të Republikës dhe si sfidën e saj personale dhe si kontribut që i kërkohet të jepet për forcimin e demokracisë në vend.
Top Channel