Popullsia mbipeshë dhe ajo obeze mund të shndërrohet në një kërcënim të madh për jetën në dekadat e ardhshme, paralajmëruan ekspertët e Universitetit të Londrës.
Rritja e madhe demografike ka vendosur nën presion rezervat aktuale ushqimore dhe në vitet e ardhshme situata mund të vazhdojë të përkeqësohet në mënyrë drastike, jo vetëm prej shtimit të popullatës, por edhe me konsumimin e një teprie ushqimesh.
Popullsia mbipeshë dhe obeze, aktualisht ndikon në rritjen e çmimit të ushqimeve në mënyrë abuzive, duke rritur koston për njerëzit e varfër në vendet kryesisht të botës së tretë, por jo vetëm.
Nëse asgjë nuk do të bëhet në këtë drejtim, në vitin 2050 pritet që popullsia në tokë të jetë shtuar edhe me 2,3 miliardë persona, ndërsa obeziteti mund të jetë rritur deri disa herë më shumë.
Sipas përllogaritjeve, e gjithë popullsia mbi tokë peshon 287 milionë tonë, 15 milionë prej të cilëve si rezultat i mbipeshës dhe 3,5 milionë si rezultat i obezitetit.
Të dhënat e Organizatës Botërore për Shëndetësinë tregojnë se mesatarja e peshës në botë është rritur në 71 kilogramë, nga 62 që ishte deri disa vite më parë, ndërsa më shumë se gjysma e personave që jetojnë në Europë e treçereku i atyre në SHBA janë mbipeshë.
Aktualisht, vendet me popullsinë më të shëndoshë në botë janë SHBA, Kuvajti dhe Kroacia, ndërsa vendet me mesataren më të ulët Korea e Veriut, Burundi dhe Kamboxhia.
Top Channel