
Nga Gadishulli Iberik kanë mbërritur gjithmonë sinjale pozitive se Spanja nuk do të tolerojë e nuk do të bëhet pjesë e një pazari me Kroacinë për të kurdisur një rezultat që eliminon kombëtaren italiane nga Euro2012.
Por, përvec lajmeve që tregojnë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve ka edhe nga ata që i kërkojnë Spanjës një rezultat 2-2 duke sjellë në kujtesë mëritë e vjetra në futboll mes dy vendeve.
Gazeta spanjolle, Marca hapet ditën e hënë me titullin, “Qetësohu Itali! S’jemi të mallëngjyer. 2-2 nuk u vjen keq spanjollëve”. Titulli ilustrohet me një foto nga Botërori i Shteteve të Bashkuara në vitin 1994, kur Italia dhe Spanja u takuan në çerekfinale. Takimi ka mbetur në kujtesën e spanjollëve për një episod të pakëndshëm që kishte për protagonistë futbollistin e Milanit, Tassotti dhe mesfshorin spanjoll, Luis Enrique.
Italiani godet me grusht brenda zonës lojtarin spanjoll dhe i shpëton syrit të gjyqtarit të takimit. Enrique, i gjakosur ngrihet e proteston, por më kot, loja vazhdon. Ndeshje në ato momente ishte barazim 1-1, por Spanja u eliminua falë golit të Roberto Baggio-s në minutat e fundit të takimit, gol që çoi Italinë në gjysmëfinale.
Episodi i goditjes ndaj Luis Enriques mbahet mend ende nga spanjollët të cilët sot kërkojnë “hakmarrje” për episodin e ’94, megjithëse Tassotti u pezullua pas provës filmike.
Top Channel