Shpërthime publike mbi motive krejt personale

17/06/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Fotoreporteri i “Shekullit”, Franc Zhurda, nuk e ka ditur që fotografitë që po i bënte Berishës në Kuvend gjatë kohës që po votohej për postin e Presidentit të Republikës do të tërhiqnin vëmendjen e dynjasë; Zhurdës as që ia ka prerë mendja (s’kish se si) se tok me mesazhet e deputetëve të PD-së, në “BlackBerry”-n e Berishës do të ish edhe një mesazh qortues dhe i rëndë; aq më pak ia ka prerë mendja atij që e ka nisur atë mesazh në adresë të Berishës, se dikush, me një aparat fotografik të teknologjisë së lartë, do të kapte nga lozha e Kuvendit ekranin e celularit të Kryeministrit të ulur në karrigen e deputetëve, do t’i bënte ‘zoom in’ fotos, dhe do të lexonte, tok me mesazhin, edhe numrin e telefonit të tij.

Pardje telefoni i tij ka rënë vazhdimisht. E kërkonin reporterët e gazetave. Nja dy miq të mi gazetarë po më thoshin, se “numri i telefonit që shfaqet në celularin e Berishës nuk ekziston”, dhe me këtë po hidhnin dyshime mbi autenticitetin e mesazhit, por dje u mor vesh se dërguesi i mesazhit për Berishën thjesht e kish mbyllur telefonin prej presionit të gazetarëve. Nja dy gazetarë e kishin kapur, megjithatë. E kishin folur me të. Është nga Vlora, është me profesion inxhinier (sipas “Shekullit”), dhe është ish-themelues i Partisë Demokratike në Vlorë (sipas shqiptares.com). Pyetjes së kësaj të fundit, se si shpjegohet ai mllef kundër Kryeministrit, vlonjati i përgjigjej: “Nuk kam problem pronash. Kam problem me punësimin tim. Kam qenë në punë në Prefekturën e Vlorës, dhe jam shkarkuar në kundërshtim me të gjitha ligjet nga njerëz të korruptuar. Ky është shqetësimi im, e për këtë arsye i kam dërguar shpesh mesazhe të tilla Kryeministrit”.

Ky motivim i tij për atë mesazh të fortë në adresë të Kryeministrit është domethënës. Është tipikisht shqiptar. Nuk paska pasur në këtë sms shpërthyese asnjë minimum shqetësimi për interesin publik, dhe asnjë grimë qasjeje impersonale. E tëra është personale. Sipas shumë gjasash, sikur ta kthejnë në punë, atje në prefekturë, ku ka qenë, gjithçka kthehet ok për të, të korruptuarit pushojnë së ekzistuari, dhe Berisha bëhet edhe më zotni se sa është; ndërkohë, ky i fundit, Kryeministri pra, bie në qetësi, pasi nuk do të ketë në inbox mesazhe të tilla bezdisëse; përkundrazi, mund të ketë mesazhe të një lloji tjetër, plot lëvdata e hosanara.

Një vend pune pra. Kjo është ajo që ne shqiptarët duam. Po na e dhanë këtë vend pune, na kanë bërë nderin më të madh, dhe ne u jemi në borxh për tërë jetën. Po na e morën këtë vend pune, atëherë na kanë hyrë në borxh, e kanë fituar armiqësinë tonë, gjithashtu për tërë jetën.

Dhe në rastin tonë është fjala për një vend pune në një prefekturë. Mirëpo ka një vend pune që është më i lakmuari e më i sublimuari ndër shqiptarë. Është fjala për postin e ministrit. Për këtë vend pune bëhet nami, luhen të gjithë gurët, njerëzit (deputetët d.m.th.) janë gati t’i bëhen urë Kryeministrit, t’i shërbejnë në mënyrën më të pafytyrë, të pranojnë të poshtërohen, e kur u duket se puna nuk pret më, janë gati edhe të ngrenë zërin për t’u bërë ministër.

Në faqen 3 të “Panoramës” së djeshme, ishte një shkrim me titull “Deputetët e PD-së kërkojnë ndryshime në qeveri”. Bëhej fjalë për një numër deputetësh (saktësisht, Lajla Përnaska, Kreshnik Çipi, Ismail Hoxha, Astrit Bushati, dhe Luçiano Boçi), të cilët janë të mendimit se ndryshimet në qeveri janë të domosdoshme, në mënyrë që “të maksimalizohet suksesi elektoral në zgjedhjet e vitit 2013” (Kreshnik Çipi), që të shtihen në punë “kapacitete ende të pashpalosura të PD-së në nivel qeverisjeje” (Lajla Përnaska), që “të rritet performanca e qeverisjes” (Astrit Bushati) e që të kapen “ritme të reja qeverisjeje” (Luçiano Boçi).

Si është puna? U rri mendja të bëhen ministra vetë? Nuk e di nëse u rri mendja në këtë pikë, por di që asnjëri prej këtyre nuk ka identifikuar në ndonjë rast probleme të qeverisjes. Flasin për impuls të ri qeverisjeje, për reforma që duhen kryer, për një status quo që duhet ndryshuar, por nuk u vënë emër kurrë shqetësimeve të tyre. Nuk mbahet mend ndonjë deputet i Partisë Demokratike që të ketë bërë kritika për sektorë të veçantë të qeverisjes, apo që të ketë ngritur zërin për reforma të caktuara. Sigurisht, reformat iniciohen nga qeveria, por deputetët mund t’ia vënë kufirin te thana qeverisë e ministrave, mund të japin ide të tyre, mund të bëhen iniciatorë projektligjesh, mund të kërkojnë seanca pyetjesh me ministrat (kjo punë e fundit nuk është e thënë të jetë përgjegjësi e opozitës) etj., etj. Janë zhvilluar çdo javë mbledhje të grupit parlamentar të PD-së, dhe mbledhje të tilla bëhen vetëm me synimin që qeveria ‘të japë llogari’ përpara deputetëve. Kjo ka ndodhur? Asnjëherë. Ajo që ka ndodhur është tjetër gjë. Deputetët kanë dëgjuar kokulur çaprashitjet e Kryeministrit, të cilat në asnjë rast nuk kanë pasur të bëjnë me qeverisjen; përkundrazi, në shumicën e rasteve kanë pasur të bëjnë me opozitën. Kokulur kanë qëndruar edhe Përnaska, Çipi, Hoxha, Bushati, Boçi. E prandaj zëri i ndonjërit syresh për ndryshime në qeveri mund të merret fare mirë si një kërkesë për një vend pune në Këshillin e Ministrave në këtë situatë kur flitet se mund të hapen ca vende pune të tilla (vendi i punës i presidentit u zu, me që ra fjala).

Loja për ndryshimet në qeveri është hapur edhe jashtë lagjes së deputetëve, dhe çdo arsyetim ngrihet mbi të njëjtën logjikë, mbi atë të sublimimit të postit ministror në veçanti e të qeverisë në përgjithësi. Në këtë mes binte në sy një shkrim i publikuar në “Mapon” e djeshme, me autor Fatos Salliun. Në këtë shkrim kërkohej, si domosdoshmëri për përfaqësimin e Elbasanit, një post ministri për Luçiano Boçin, i cili është “një nga personalitet më aktive të PD-së në Parlament, një nga personazhet më mediatike të saj, [politikan] që i përket perspektivës së PD-së, vizionit të ardhshëm të saj, njeriut shumëdimensionesh, një vlerë që meriton vlerësim për shkak të karizmës, e mbi të gjitha të përgatitjes që ka”.

Kam ikur nga tema? Jo, nuk kam ikur, aty jam, te motivimet “e rebelimit” tonë, të cilat rrallë qëllon t’i kemi impersonale, e për shqetësime të natyrës publike. E prandaj, shpërthimi i atij inxhinierit vlonjat, që ka themeluar PD-në në vitin 1990, në thelb nuk përbën asnjë ndryshim nga “shpërthimi” i deputetëve jo ministra që po ngrenë zërin për ndryshime në qeveri.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA