Franca mposht Ukrainën, Anglia eliminon Suedinë

15/06/2012 00:00

Franca hodhi një hap drejt fazës çerekfinale të Euro2012 pas fitores 2-0 ndaj Ukrainës së Shevcenkos, fitore që i dha edhe kreun e grupit D.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0. Në të dytën, Gjelat e Loran Blank këmbëngulën më fort dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 53-të me Jeremy Menez. Vetëm tre minuta më vonë, Yohan Cabaye dyfishon rezultatin dhe vulos takimin.

Për t’u përmendur është fakti që takimi Francë-Ukrainë pak sekonda nga nisja në orën 18:00, u ndërpre për shkak të shiut të madh që përfshiu stadiumin e Doneskut. Ndeshja nisi në orën 19:00, çka u bë shkak edhe për zhvendosjen në 15 minuta më vonë të takimit Angli-Suedi.

Në ndeshjen tjetër Anglia ka përmbysur rezultatin duke mposhtur 3-2 Suedinë e Ibrahimovic.

Protagonist ishte Teo Uollkot i cili sapo u fut në fushë shënoi golin e dytë dhe të barazimit duke i hapur rrugë fitores së përfaqësueses së Hodgson.

Pas kësaj humbjeje Suedia bëhet skuadra e dytë që eleminohet nga ky Europian, ndërkohë që ndeshjen e fundit kundër Francës do ta luajë thjesht për formalitet. 

Top Channel