Sapo arbitri i bie bilbilit për fillimin e ndeshjes, të gjithë janë ulur para ekranit të madh për të parë dyluftimin e skuadrës së tyre të zemrës. Tifozët presin në ankth afrimin e sulmuesve në zonën e rrezikut, presin golin dhe fitoren.

Në Tiranë, është e zakonshme të shohësh rrugë të boshtisura e tek-tuk sheh njerëz që nxitojnë për të mos humbur asnjë moment të Europianit.

Si një nga sportet më mashkullore, futbolli edhe tifozët më të çmendur i ka meshkuj. Kur ata shohin skuadrën e tyre të preferuar, nuk egziston askush tjetër përveç vetvetes dhe dashurisë së madhe për futbollin.

“Me pak fjalë jam tifoz i çmendur. Për Gjermaninë le çdo gjë, le punën, takimet, edhe shkollën dhe ndoshta mund t’i ve dhe emrin fëmijës Bastin”, shprehet një i intervistuar në rrugë.

“Tani që humbi Hollanda, bëj tifo për Spanjën. Siç e sheh, për kampionatin e kam lënë zërin rrugëve”, shprehet një tjetër.

Adoleshentë, të rinj, të moshuar, të gjithë meshkujt edhe një herë të gjithë të bashkuar për një qëllim më të madh: Futbolli!!!

“Pas çdo fitoreje dal dhe festoj, veshur me ngjyra, vuvuzel, piktura në fytyrë, kërcejmë në tavolina, tatuazhe patjetër. Ne jemi rritur me futbollin, e dashurojmë atë”, thonë tifozë të tjerë.

“Kam shumë vite që e ndjek kampionatin, bëhet fjalë që në vitet ’70 dhe gjithmonë kam qenë tifoz i Italisë. E kam ndjekur në çdo hap”, thotë një tjetër sportdashës.

Por, kur meshkujt vrapojnë pas televizorit, njëlloj si futbollistët pas topit, të gjitha femrat, bashkëshortet, të dashurat dhe nënat e tyre kufizohen në zgjedhjet dhe dëshirat e tyre për të shijuar pasditen në shoqërinë e të gjithë familjarëve.

“Në fakt kam lënë edhe shoqen time pak pas dore, por nuk kam çfarë t’i bëj, është kampionati”, thotë një i ri.

“Ne në shtëpinë tonë i kemi ndarë gjërat, gruaja sheh telenovelat, unë shoh sportin”, shprehet një më i moshuar.

Janë të ndërgjegjshëm që nuk është e drejtë të lenë pas dore femrat e tyre, por nuk e kontrollojnë dot dëshirën dhe pasionin e madh për futbollin. Bëjnë tatuazhe, venë baste, venë emra fëmijësh, gjithçka në emër të skuadrës dhe lojtarit të tyre të preferuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA