Është zhvilluar ceremonia e lamtumirës së të madhit Medin Zhega, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
Aksidenti i ndodhur përpara një viti në Kanada, i solli një paralizë profesorit Zhega i cili që nga ajo periudhë e deri ditën kur mbylli sytë vuajti deri sa u mposht përfundimisht nga sëmundja.
Përmes homazheve të zhvilluara në Pallatin e Kongreseve, ish ylli i futbollit shqiptar dhe një ndër trajnerët më të suksesshëm të futbollit tonë, është nderuar nga personazhe të shumtë që e kanë njohur nga afër.
Ish-futbollistë, trajnerë, zyrtarë e politikanë, kanë respektuar emrin e Medin Zhegës.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi: Sot me hidhërim të thellë përcjellim zotin Zhega, të paharruarin, një personaliteti i shquar jo vetëm i botës së sportit, por edhe një qytetar i devotshëm, një njeri me të cilin kam patur njohje të drejpërdrejtë, njeri me karakter të fortë, gjë të cilën na e demostroi jo vetëm në sport, por edhe në politikë dhe në marrëdhëniet me qytetarët, me kolegët e tij. Kjo është arsyeja që ai nderohet sot nga të gjithë. Shpirti i tij u prehtë në paqe!
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Ishte një yll i futbollit shqiptar një njeri ndër më të dashurit për qytetin e tij, për skuadrën e tij për kombëtaren e futbollit, në fakt për cdo qytetar. Emocionet që ai u ka dhuruar shqiptarëve mbeten në mendjen dhe shpirtin e cdo qytetari shqiptar. Ishte një shqiptar i jashtëzakonshëm dhe i dashur për të gjithë ne. Sot ne kemi humbur një njeri të dashur që na ka përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze kudo ka qenë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha: Medin Zhega është ikonë e futbollit shqiptar, brezi im e njeh si ikonë, brezi para meje e ka shijuar futbollin e tij. Medin Zhega është trajneri që na fali emocionet më të paharrueshme dhe na bëri krenarë. Kjo trashëgimi e bën Medin Zhegën të pavdekshëm!
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi: Një ndarje e parakohëshme dhe e dhimbshme për familjarët, njerëzit e dashur, por për të gjithë sportdashësit ishte një figurë që krijoi respekt. Është një humbje e madhe për botën e sportit.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka: Një humbje e madhe për futbollin shqiptar, por për cfarë ka arritur ai, cfarë ka lënë në këtë histori, në një farë mënyrë duhet t’i themi prehu i qetë për të gjitha ato kontribute në shoqërinë shqiptare. Lamtumirë profesor!
Top Channel