Pas ndarjes nga jeta të poetit Pano Taçi në moshën 84-vjeçare prej një sëmundjeje të rëndë, u zhvilluan homazhe në mjediset e Teatrit Kombëtar në kryeqytet.
Poeti Taçi ka qenë një ndër personat që kanë vuajtur më shumë në kohën e diktaturës, pas një periudhe të gjatë përndjekjesh dhe burgosjesh, të cilat filluan prej vitit ‘47 e deri në fillim të viteve ‘90-të.
“Jemi shumë të vetëdijshëm që në këtë lamtumirë ndjehemi shumë të pasuruar nga një krijues rebel, i papërkulur, autentik që përdori muzën e tij, frymëzimin e tij dhe talentin vetëm në shërbim të poezisë shqipe”, vlerësoi poeti Agron Tufa.
“Është një poet i vargut të rregullt, vargut melodioz, shumëplanësh, ka patur një jetë nga më të vështirat që mund të ketë njeriu në këtë botë”, thotë shkrimtari Bardhyl Londo.
Vetëm pas vitit ‘90 autori filloi të publikojë krijimet e tij që u dalluan për veçantinë dhe mesazhin human i cili përcillej me mjeshtëri në vargjet e tij.
President i Republikës, Bamir Topi, i pranishëm në homazhe, shprehu keqardhjen e tij për humbjen e këtij krijuesi.
“Ai do të mbetet padyshim në memorien e kombit jo vetëm si njeri me talent në poezi, por në radhë të parë si njeri me karakter të fortë”, tha presidenti Topi.
Pano Taçi e vazhdoi veprimtarinë e tij letrare edhe në vitet e fundit të jetës. Libri i tij “Muzgu vjen papritur” është në proces botimi.
Top Channel