
Sot në orën 18:00 do të luhet ndeshja e dytë e Grupit C mes Italisë dhe
Kroacisë. Skuadra e Prandelit vjen në këtë përballje pas barazimit 1-1
me Spanjën, ndërsa Kroacia pas fitores 3-1 me Irlandën.
Në prag të ndeshjes, trajneri italian ka deklaruar se skuadra e tij duhet të tregohet e kujdesshme ndaj asaj ballkanase, pasi kjo e fundit është në gjendje të ndryshojë mënyrën e lojës në cdo moment të ndeshjes.
‘Pamë ndeshjen mes Kroacisë dhe Irlandës dhe e dimë që do ta kemi të vështirë këtë përballje-tha Prandeli-Kroacia nuk e bazon lojën vetëm te qarkullimi i topit, por edhe te intensiteti i aksioneve të saj. Do të na duhet të lexojmë mirë lojën e kësaj skuadre, por unë mendoj se i kemi mundësitë për të fituar”.
Kroacia fitoi pavarësinë ndaj Jugosllavisë në vitin 1991 dhe që nga kjo kohë i ka hapur shumë probleme Italisë dhe kjo vërtetohet me faktin se italianet nuk kanë arritur të fitojnë asnjëherë ndaj saj.
‘Është dicka pozitive për ne kur shikon statistikat që tregojnë se Italia nuk na ka mundur asnjëherë-tha trajneri Slaven Bilic-por kjo nuk do të thotë asgjë. Italia e Euro 2012 është një skuadër e re dhe ne nuk do të bazohemi vetëm te kjo e dhënë për t’u përballur me të. Kemi në dorë dy mundësi për t’u kualifikuar por do të luajmë sikur të kemi vetëm 1. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv’.
Top Channel