Në Tiranë po zhvillohet seminari mbi të drejtat e homoseksualëve, që po drejtohet nga një panel i përbërë nga ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, kryetari i bashkisë Lulzim Basha dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani.
Në fjalën e tij, të mbajtur pas një përshëndetjeje me videokonferencë të sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ambasadori Arvizu ka deklaruar se respektimi i të drejtave të kësaj kategorie njerëzish është jetik në një shoqëri demokratike.
“Duhet të respektohen të drejtat pavarësisht orientimit. Pavarësisht se si dukemi, duhet të respektohet dinjiteti. Sulmet ndaj homoseksualëve ndodhin kudo në botë. Avokatia nuk është forcë, por është bindje”, ka thënë Arvizu.
Në të njëjtën linjë është shprehur më pas edhe kryebashkiaku Basha, i cili ka nënvizuar se respektimi i të drejtave të njeriut është një domosdoshmëri.
Ndër të tjera, ambasadori Arvizu ka vlerësuar punën e bërë nga Avokati i Popullit, Igli Totozani për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit rom, që kohë më parë u dëbua nga vendndodhjet e tij dhe u strehua në godinën e Ombudsmanit.
Top Channel