Ambasadori austriak tregon për jetën në Shqipëri

14/06/2012 19:50

Florian Raunig është ambasadori i Austrisë në vendin tonë dhe ka shumë vite që jeton në Shqipëri. Në një intervistë për ‘Pasdite në Top Channel’, ambasadori tregon vitet e kaluara në Tiranë dhe jo vetëm.

Zoti ambasador, cili ka qenë kontakti i parë me Shqipërinë?

Është në vitin 1990, kam qenë pjesë e një delegacioni kulturor si fotograf. Kam pasur privilegjin të jem një nga dëshmitarët e parë të ngritjes për liri më 2 korrik të 1990-s. Isha shumë i apasionuar pas Shqipërisë dhe kam thënë që nëse një ditë ky vend do të ishte i lirë do të kthehesha patjetër. U ktheva në vitin 1991, bëra një kurs gjuhe e më pas u riktheva në vitin 1996 si mësimdhënës në Universitetin e Elbasanit për filozofinë dhe për gjuhën gjermane. Kam kaluar shumë kohë me miq dhe familje shqiptare sepse kjo është mënyra më e mirë për mësimin e gjuhës. Nga viti 2009 jam ambasador.

Keni vështirësi me gjuhën shqipe?

Kuptohet që kam sepse nuk është gjuha amtare. Has më shumë vështirësi kur lexoj literaturë. Atëherë më duhet fjalori. Gjithashtu kur njerëzit flasin me dialekt nuk i kuptoj mirë, por punën time e bëj pa përkthyes.

A habiten shqiptarët kur shikojnë se ju komunikoni shumë mirë në shqip?

Njerëz që e dinë që jam i huaj habiten ose fillojnë të më flasin anglisht apo italisht. Kur unë përgjigjem shqip gëzohen.

Cilat qytete keni parë në Shqipëri?

Kam jetuar 8 muaj në Shkodër, 10 muaj në Elbasan, 3 muaj në Bajram Curri, 2 muaj në Korçë dhe pjesën tjetër në Tiranë.

Cilat janë vendet ku nuk keni shkuar kurrë në Shqipëri?

Janë pak këto vende, por në Lurë nuk kam qenë fatkeqësisht.

Cfarë ju pëlqen më shumë nga kuzhina shqiptare?

 Shqipëria ka kuzhinën më interesante të Ballkanit sepse ka absorbuar kuzhinën turke duke e rafinuar me atë italiane. Është një miks fantastik. Më pëlqen gjithçka dhe nuk ka familje në Shqipëri ku nuk hahet mirë.

Me çfarë jeni mësuar më shumë këtu? Cfarë do ju mungojë më shumë?

Në radhë të parë njerëzit e më pas bukuria e vendit. Ka aspekte të ndryshme, por së pari miqtë.

Keni krijuar familje në Shqipëri?

Gruan time gjermane e kam takuar në Shqipëri para 12 vitesh. Edhe vajzat e flasin shqipen.

Cfarë keni vënë re tek shqiptarët?

Shumë gjëra. Janë shumë mikpritës, të hapur, të ngrohtë. Ka raste që tregohen gjaknxehtë, por nuk ka ekstremizëm dhe kjo është diçka e veçantë për rajonin e Ballkanit. Shqiptarët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, pa konflikte etnike apo fetare. Jeni një popull simpatik.

Si mund ta përshkruani me 3 fjalë Tiranën?

Ndryshon çdo ditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA