Terri Calvesbert ishte vetëm 22-muajshe kur trupi i saj u dogj pothuajse krejtësisht nga një zjarr që lindi nga pakujdesia e nënës, e cila la një cigare të ndezur në dhomën e vogëlushes, në Ipswich të Anglisë.
Hunda, veshët, flokët dhe duart pësuan djegie të rënda dhe kur zjarrëfikësit e gjetën vajzën tashmë 15-vjeçare në krevatin e saj, fillimisht e morën për një kukull plastike të zezë.
Terri është një nga të paktët persona në botë që i ka mbijetuar një djegieje të tillë. Në një intervistë për ‘The Sun’, Julie Minter, nëna 35-vjeçare thotë: “Ndihem shumë keq për atë që ka ndodhur. Kam një ndjenjë faji që çdo sekondë të jetës sime më gërryen nga brenda. Vajza ime ka vuajtur shumë për fajin tim.”
Ajo rrëfen se ky aksident e ka ndarë për 10 vjet nga vajza dhe ka menduar disa herë vetëvrasjen. Gjithashtu nuk ka marrëdhënie të mira me prindërit e saj, të cilët e takojnë rregullisht Terrin.
Nëna kujton atë ditë: “Unë kurrë nuk pija cigare në dhomën e vajzës, por atë ditë e bëra. Dola dhe pas disa minutash dëgjova vajzën duke qarë. Kur hyra për ta parë sërish, dhoma ishte e mbushur me flakë dhe tym të zi. Mora në telefon zjarrfikësit… Njerëzit më thonë që duhet të kisha hyrë vetë në dhomë e ta shpëtoja, por unë u tremba shumë.”
Terri qëndroi për 6 muaj në spital dhe u kthye të jetonte me babanë e saj, ndërsa e ëma i humbi kontaktet për plot tetë vjet me të sepse shërbimet sociale nuk ia lejonin takimet edhe për shkak se pak muaj më parë ishte divorcuar nga bashkëshorti.
Terri është shprehur: “Mendoj se mamaja ime nuk duhet të kishte pirë cigare në shtëpi, por nuk është faji i saj.”
Terri ka dy vjet që nuk e takon të ëmën, por shpeshherë shkëmbejnë mesazhe.
“Dua të ribashkohem me vajzën time, nuk mund të jetoj më kështu”, përfundon Julie Minter.
Top Channel