Ora super e shtrenjtë e Nadal

13/06/2012 15:15

Festimet e Rafael Nadal pas fitimit për herë të shtatë të “Roland Garros” në Francë, u prishën disi pas zhdukjes së orës së tij, e përllogaritur me vlerë diku tek 300 mijë euro.

Dy ditë më pas, lajmi i gjetjes së orës së shtrenjtë ka lumturuar akoma më shumë tenistin spanjoll.

Sic shkruan e përditëshmja franceze “Le Parisien” ora u gjet nga policia franceze në Paris. Ajo ishte vjedhur nga një punonjës i hotelit ku Nadal qendroi gjatë zhvillimit të turneut të rëndësishëm të tenisit botëror.

Autori i vjedhjes është një 38-vjeçar i tradhëtuar nga karta magnetike e punës të cilën e kishte shfrytëzuar për të hyrë në dhomën e hotelit të tenistit spanjoll pa u detyruar të shkallmojë derën.

Pas arrestimit nga policia franceze si i dyshuar, 38-vjeçari ka pranuar vjedhjen dhe ka bashkëpunuar me policinë duke i shoqëruar ata tek vendi sekret që kishte zgjedhur për fshehjen e objektit.

Ora e shtrenjtë iu huazua Rafal Nadal nga marka Richard Mille si formë marketingu gjatë turneut të tenisit në Paris. Kjo nuk është hera e parë që tenisti spanjoll bie viktimë e vjedhjeve. Në vitin 2010, në turneun e Torontos në Kanada, atij iu zhduk një bizhu me një vlerë prej 525 mijë dollarë, ende e pagjetur.

Top Channel