Ndërsa turizmi vjen e bëhet një sektor gjithmonë e më i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, një staf i kualifikuar në gjendje që të ofrojë në vendin tonë një lloj turizmi elitar bëhet gjithmonë e më i domosdoshëm.
Një kualifikim i tillë mund të merret në pak vende në botë dhe pa dyshim, dy institucionet elitarë të hotelerisë dhe turizmit në Zvicër, universitetet e “Glis” dhe “Les Roches”. Për të prezantuar këto dy institucione, në Tiranë ishin të pranishëm dy përfaqësues të “Laureate Group”, përfaqësues të universiteteve, Julia Tokareva dhe Besart Xhaferri.
“Shqipëria ka shumë burime natyrore. Tirana është e bukur dhe të gjitha këto janë faktorë për zhvillimin e kësaj industrie të hoteleri turizmit në vendin tuaj. Njerëzit janë mikpritës dhe ky është vetëm fillimi. Mendoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në një destinacion kryesor turizmi në rajon dhe më gjerë”, u shpreh Tokareva, gjatë intervistës së saj në emisionin e “Pasdites”, në “Top Channel”.
“Ana praktike është një pjesë shumë e rëndësishme dhe thelbësore e programit tonë, sepse për t’u bërë një manaxher i zoti, studentët tanë duhet të përballen me anën praktike që në shkollë. Çfarë ofrojmë ne ndryshe? Në Zvicër janë tre universitetet më të mëdha të turizmit dhe secili prej tyre ka procedurë pranimi dhe akreditimi. Niveli universitar është ajo që na dallon, pasi ne arrijmë ta bëjmë hoteleri turizmin një përvojë dinamike, në të cilën mund të rriten studentët dhe të studiojnë sipas ëndrrave të tyre. Kjo është industria ndërkombëtare e turizmit, ne u mësojmë studentëve të jenë të hapur ndaj kulturave të tjera dhe i inkurajojnë të njohin sa më shumnë gjuhë e kultura të ndryshme”.
Gjatë intervistës së saj, Tokerava iu përgjigj edhe pyetjes së drejtëpërdrejtë se përse studentët shqiptarë duhet të zgjedhin pikërisht shkollat në fjalë. “Zvicra është nëna e turizmit dhe hotelerisë. Shkolla e parë në botë për këtë profil është hapur në Zvicër dhe kjo industri lindi atje, prandaj kemi parasysh një program avangardë. Njëkohësisht, ofrojmë kemi bursa të ndryshme dhe kjo varet gjithshtu nga kompanitë sponsore, që vendosin se kujt do të donin t’i ofronin bursat dhe gjithmonë përcaktojnë se kë duan të mbështesin”.
Nga ana e tij, shqiptari Besart Xhaferri u ndal në cilësinë e studimit në akademitë në fjalë dhe përshkroi jetën studentore në “Glis” dhe “Les Roches”. “Universitetet në fjalë ofrojnë një mënyrë të re jetese), por më e mira e këtyre dy kurseve e diplomave është realiteti i punësimit, pasi në 2020-n do të jenë 303 milionë vende pune në botë në industrinë e turizmit. Është një sektor shumë i madh dhe për të qenë në majën e kësaj industrie duhet të kesh edukimin më të mirë, në mënyrë që të jesh ën majë. Këto universitete nuk ofrojnë kurse për operacione të vogla nëpër hotele, si kamarier, guzhinier, recepsionit, etj. Kurset e menaxhim-biznesit, me drejtim turizmi të bëjnë të aftë të jesh menazher i hoteleve më të mëdha në botë, prandaj në universitet ka studentë nga 117 shtete të ndryshme të botës. Në Shqipëri nuk kemi term për “hospitality”, të jesh mikpritës për ta vjelur, jo vetëm kur të vjen turisti. Tashmë, në tregun shqiptar është e domosdoshme që të rrisinim nivelin dhe të sjellim profesionistë gjithmonë e më të kualifikuar”.
Në fund të intervistës, duke iu referuar një serie të dy muajve më parë të emisionit “Shqip”, të Rudina Xhungës dedikuar turizmit, Xhaferri riktheu në kujtesë deklaratën e një profesionist gjerman, që këshilloi Shqipërinë që të mos orientohet nga turizmi i lirë, por të investojë për një turizëm elitar, për t’u shndërruar në një Monte Karlo të vogël apo një tjetër perlë të Mesdheut.
Top Channel