Grupe tifozësh prej dhjetëra vetësh u përleshën në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, ndërsa me mijëra rusë marshuan në ditën e festës së tyre kombëtare, përpara ndeshjes së mbrëmjes, që do të ballafaqojë dy përfaqësueset në një ndeshje grupi të Euro 2012.
Autoritetet polake kanë blinduar me forca sigurie kryeqytetin, ndërsa dhjetëra persona janë shoqëruar në rajonet e policisë. Rreth 6 mijë policë janë vendosur në zonat më të nxehta të Varshavës.
Zënkat u motivuan nga rivaliteti dhe urrejtja historike midis dy shteteve të Europës Lindore.
Rusia mbajti të pushtuar Poloninë për më shumë se një shekull (1795-1918), ndërsa nënshkroi një marrëveshje që e ndau vendin në dy pjesë me Gjermaninë Hitleriane, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Polonia u shndërrua në një “satelit” të Bashkimit Sovjetik gjatë epokës së komunizmit, duke hapur plagë të reja, prezente në kujtesën e shumë polakëve.
Një parti konservatore në opozitë dënoi marshimin e rusëve si një provokim, por ai ishte aprovuar prej autoriteve dhe nisi të mbahej nga ora 17:00, kur disa huliganë polakë sulmuan ultrasit e ardhur nga Rusia.
Mediat vendase kishin shprehur më parë një shqetësim të thellë rreth sigurisë, me të përditshmen “Rzeczpospolita”, që pyeste në faqen e saj të parë: “Marshim apo betejë urbane?”.
Dita kombëtare e Rusisë shënon deklarimin e pavarësisë së Federatës Ruse nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1990, një hap kyç drejt rrëzimit të vetë BRSS-së.
Top Channel