Marten Stekelenburg, portieri titullar i Hollandës, ka shumë besim se ekipi i tij do të kalojë grupin edhe pse ka humbur befasisht ndeshjen e parë ndaj Danimarkës, kundërshtarit më të lehtë në letër në një grup ku gjenden edhe Gjermania e Portugalia.
Në deklarata për uefa.com, gardiani i portës “portokalli” siguroi tifozët se do të bëjnë gjithçka munden për të marrë një rezultat të mirë ndaj Gjermanisë.
Stekelenburg nënvizoi se ndeshje të tilla janë të veçanta për hollandezët dhe gjermanët: “Gjithmonë ka pasur një rivalitet të fortë mes nesh.”
“Do të luajmë si ndaj Danimarkës edhe pse ata kanë lojtarë të rrezikshëm në kundërsulm. Nuk duhet të humbim shumë topa në mesfushë, ky është çelësi”, shtoi lojtari i Romës.
Në lidhje me humbjen ndaj Danimarkës, Stekelenburg tha: “Nuk patëm fat, nuk e meritonim humbjen. Ne nuk shfrytëzuam rastet tona, ndërsa ata shënuan në të vetmin rast që patën.”
Hollanda do të luajë ndaj Gjermanisë ndeshjen e dytë të grupit B më 13 qershor, në orën 20.45.
Top Channel