Ndahet nga jeta Medin Zhega

12/06/2012 00:00

U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Medin Zhega.

I ndjeri Zhega ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë ku ishte shtruar prej disa muajsh për kurim, pas incidentit të pësuar në Kanada ku ndodhej në një udhëtim personal.

Medin Zhega, lindur më 31 janar të 1946-ës në qytetin e Shkodrës, nisi karrierën si futbollist i Vllaznisë. Pas spikatjes me uniformën kuqeblu, Zhega kalon me skuadrën e Dinamos të Tiranës, për t’u rikthyer sërish për të mbyllur karrierën e futbollit të luajtur me skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë.

Për 2 viti nga 2000-2002 ai drejtoi kombëtaren shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2002. Nën drejtimin e tij kuqezinjtë fituan turneun “Rothmans” në Maltë.

Një nga ikonat e futbollit shqiptar ka qenë për shumë vite dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërkohë që ka qenë dhe deputet i PS-së në vitet 1992-1996.

Për kontributin e dhënë Zhega është nderuar me titullin  “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Top Channel