Shkencëtarët kanë arritur të gjejnë prova se një stuhi meteorësh goditi Tokën 12 mijë vjet më parë dhe se ka gjasa që ky fenomen të jetë përgjegjës për zhdukjen e njerëzve parahistorike dhe kafshëve gjigante si mamuthët.
Provat për këtë stuhi të ardhur nga hapësira janë gjetur në dy kontinente, në Amerikën e Veriut dhe në Azi.
Sipas studiuesve, besohet se impakti i qindra ose mijëra fragmenteve me planetin ndryshoi drastikisht kushtet e jetesës për disa dekada, duke shkaktuar një dimër të acartë, përgjegjës për zhdukjen e shumë formave të jetës në planet.
Gjatë kërkimeve, një grup ekspertësh ndërkombëtarë arritën të gjenin një material të quajtur qelq i shkrirë, i cili formohet në temperature 1 700-2 200 gradë, si rezultat i shpërthimeve vullkanike apo potencialisht për shkak të impaktit të një trupi qiellor me Tokën.
Përllogaritjet arritën në përfundimin se materiali i gjetur në Pensilvani, SHBA dhe në Siri, ishte 13 mijë vjet vjetër.
Testet e mëtejshme provuan se materiali nuk ishte kozmik, vullkanik apo i bërë nga dora e njeriut.
Qelqi i shkrirë i gjetur në vendet e mësipërme është i njëjtë me materialin e gjetur në kraterin meteorik në Arizona dhe me një tjetër krater në Australi, ku është provuar se disa meteorë të vegjël kanë provokuar shpërthimin, nga i cili më pas është formuar qelqi në fjalë.
Gjetja e materialit është prova më e mirë që dëshmon një impakt, sepse në kushtet e një përplasje, pasi lënda mund të prodhohet në fragment sekondi, si rrjedhojë e kushteve specifike që krijohen në momentin e përplasjes.
Top Channel