Fitore që rrëzon fituesin

12/06/2012 00:00

ALEKSANDER ÇIPA – Një mandat i fituar, por që do të vlejë si pësim prej
procesit si u krye. Kështu do të vlerësohet tash e tutje mandati i ri
presidencial që mori zoti Berisha me mbështetjen e pakursyer të aleatit
të tij, zotit Meta.

Është fjala për një mandat presidencial që në kohën e afërt të ardhme, do të përdoret si një argument i fuqishëm prej opozitës për ta akuzuar këtë shumicë të thjeshtë.

Kryeministri Berisha dhe aleati i tij Meta, kanë rikonfirmuar me një akt shpërfillës ndaj këmbënguljes së opozitës, numrat e tyre në Parlamentin e vendit. Është evituar çdo iluzion për çarje dhe sidomos për prishje të raporteve kontraktuale që kanë investuar gjatë këtij mandati qeverisës dy politikanët me profilin më të lartë të forcës në skenën politike të vendit. Hedhja e 73 votave për presidentin e saposhpallur në Kuvendin e Shqipërisë, zotin Bujar Nishani, është akti i ri i kapitulluar prej koalicionit Berisha-Meta e të tjerë dhe përballësit me ta, kryesocialistit Rama. Situata është e mbarsur sërish me një pritmëni, e cila më së shumti evidentohet për arsyen e thjeshtë se investimi për pasjen e një presidenti konsensual ishte i përmasave dhe angazhimeve multiaktoriale. Nuk ishte vetëm tendenca e kastës politike vendimmarrëse për arritjen e një produkti të tillë, por në një lloj kuptimi, sfida duket se i përkiste edhe diplomacisë me më tepër ndikim, asaj të BE-së dhe SHBA-së. Në semantikën e parë, nevoja e konsensusit u pompua si imazh i një kriteri të fuqishëm, për të cilin klasa politike e vendit dhe institucionalizmi politik në vend, do të kishin shansin për një kapërcim sfide madhore me vlerë për partitë, por më së shumti për vendin. Ky imazh tashmë është shembur faktikisht dhe e ardhmja mes pozitës dhe opozitës do të shpërfaqë një raport më të thjeshtëzuar politik. Askush nuk ka iluzione se pramatizmi politik mes Ilir Metës dhe Kryeministrit Sali Berisha në ditë të afërta do të rimaterializohet në akt rikompozimi të kabinetit qeverisës. Unitariteti i tyre politik nuk është vetëm i rikonfirmuar përmes zgjedhjes së presidentit, por më së shumti lexohet prej deklarimit të parë të zotit Meta dje, pas aktit votues në Kuvend të presidentit të ri Nishani, i cili patetikisht e konsideroi zgjedhjen “të shkëlqyer”. Kjo dalje e zotit Meta ishte semantikisht shprehje e një marrëdhënieje më e potencuar e forcës së partneritetit të tyre përballë zotit Rama.

Votimit për presidentin e ri Nishani, ishte një proces që nëse do të merrnim në konsideratë pohimet vlerësuese të disa konstitucionalistëve, mund të quhet i papërgatitur. Në subjektin e tij ky proces mbart dilema dhe nyja të forta ekuivokësh juridikë. Madje dikush mund të shtojë se në të ardhmen e afërt ai, nën filtrat e analizës së jurisprudencës, do të marrë vlerën e një kazusi interpretimesh të shumta dhe pse jo edhe kundërshtueshmërish. Por koha në dispozicion të diskutimit të kësaj kategorie ekspertësh është në dispozicion, ndërsa koha e shtjellimit politik ka nisur. Në ditët e ardhme kemi për të pasur vlerësimet që faktori ndërkombëtar dhe sidomos diplomacia me ndikim do të shprehen për procesin e befasirave dhe më të pazakontin në praktikën e zgjedhjeve presidenciale të realizuara në këto 22 vjet postkomunizëm. Ky proces, që u realizua si triumf mbi konsensusin politik, pashmangshmërisht do të ketë peshën specifike të gjykimit negativ dhe pse jo edhe ndëshkues për Kryeministrin dhe aleancën e tij. Mungesa e ambasadorit amerikan në seancë është një qëndrim i pastër me kuptim të plotë. Kërkesa zyrtare e Departamentit të Shtetit për një president konsensual, nuk mund të kapërcehet me kaq lehtësi dhe sidomos me kësi prepotencash, pavarësisht se si dhe prej kujt mund të realizohet konsensusi i ngushtë. Perimetri i konsensusit të kërkuar përfshinte opozitën zyrtare dhe pozitën koalicionare. Mungesa e ambasadorit amerikan, zotit Arvizu në lozhën e posaçme, është një qëndrim që mund të pasohet me heshtje të gjatë, por edhe me reagime prapavepruese. Ky qëndrim është së pari refuzim i kësaj cilësie zgjedhjeje, ndaj këtij procesi me protagonizëm të identifikuar dhe natyrisht që nuk ka lidhje me të sapokurorëzuarin, presidentin e ri Nishani. Regjia e votimit të djeshëm në Kuvend, bie erë prepotencë dhe loja që mund të pasojë prej saj mund të shpërfaqë rreziqe të reja autoritarizmi.

Për këtë arsye, qëndrimet deri në momentin e parandodhjes së kryetarit të opozitës, ishin kategorike dhe paralajmëruese për vetë Kryeministrin Berisha.

Pas kësaj, në skenën politike të vendit nuk mund të priten zhvillime të tjera jashtë antagonizmit të përthelluar politik. “Demonët” e konfliktit politik janë sërish pranë dhe hijet e tyre duket se shfaqen siluetshëm nëpër nëntekstet e fjalëve të zotit Rama, zotit Meta dhe së fundi të kandidatit të refuzuar, Nano. Koha e mbetur në dispozicion të vitit kalendarik të zgjedhjeve të radhës, është një kohë e shprishur, e cila parathotë rrënim të mëtejshëm të demokracisë dhe sidomos të shpresës për zgjedhje të lira, për një Shqipëri me standarde demokracie dhe veçanërisht për një të ardhme me paqartësi të rrezikshme në ekonomi dhe shtet të së drejtës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA