Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë paraditen e së martës në një konferencë kushtuar biznesit, kryesisht atij në zonat rurale të vendit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur i vetëdijshëm për problematikën e këtij sektori, por ka theksuar se qeveria e tij ka projekte për zgjidhjen e tyre.
“Shqipëria ka probleme në formën territoriale të qeverive vendore. Por Shqipëria ka edhe potenciale të mëdha që do shfrytëzohen nga angazhimi ynë dhe i juaji. Qeveria ka projekte që janë shtrirë në mbarë vendin”, ka deklaruar Berisha.
Një nga problemet kryesore që kërkon sa më parë zgjidhje, sipas shefit të ekzekutivit është mungesa e një sistemi kreditimi për zonat rurale.
“Mungon një sistem kreditimi për zonat rurale, që përbën një nga problemet më madhore të komuniteteve në këto zona. Ne planifikojmë të organizojmë një sistem mikrokredish. Gjithashtu, qeveria po përgatitet për një paketë të re dixhitalizimi fiskal”, ka thënë Berisha.
Më tej kryeministri ka kërkuar më shumë vëmendje për prodhimet në zonat rurale, të cilat sipas tij janë anonimate, si dhe për infrastrukturën në zonat e thella, të cilat kanë mbetur të izoluara.
Top Channel