Paulo Bento, trajneri i kombëtares portugeze, kërkoi falje për sjelljen e Cristiano Ronaldos, i cili pas përfundimit të ndeshjes ndaj Gjermanisë (të humbur 1-0) u largua me gjeste të pakëndshme nga tapeti i blertë.
“Lojtarët kanë reagime të ndryshme pas një ndeshjeje. Nëse dikush është ndjerë i fyer kërkoj falje publike sepse unë jam përgjegjësi kryesor”, deklaroi tekniku në Lviv (Ukrainë), ku të mërkurën Portugalia do të ndeshet me Danimarkën.
“Nuk meritonim humbjen dhe në këto raste futbollistët bëjnë gjëra që nuk duhet ndonjëherë”, shtoi Paulo Bento.
Të shtunën, Cristiano Ronaldo hoqi me inat shiritin e kapitenit dhe u largua menjëherë për në dhomat e zhveshjes duke mos shoqëruar shokët e ekipit që po përshëndesnin tifozët portugezë që kishin udhëtuar për të mbështetur përfaqësuesen e vendit të tyre.
Në lidhje me takimin e 13 qershorit (ora 18.00), Paulo Bento konfirmoi se Helder Postiga do të jetë sulmuesi titullar i skuadrës edhe pas paraqitjes jo të mirë të sulmuesit të Real Zaragoza ndaj Gjermanisë.
Top Channel