12 qershori, Topi përshëndet Kosovën

12/06/2012 10:35

Presidenti në ikje Bamir Topi ka përshëndetur të martën 13-vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë. Në mesazhin e tij, zoti Topi ka përkujtuar luftëtarët që sakrifikuan jetën për liri dhe pavarësi, duke iu kundërvënë trupave paraushtarake serbe.

“13 vjet më parë forcat e NATO-s realizuan çlirimin e Kosovës. Në këtë përvjetor kujtojmë e nderojmë të gjithë ata bij e bija atdhetarë”, është shprehur Topi.

Kreu i shtetit ka vlerësuar se, sot Kosova është një shembull krenarie e suksesi për shqiptarët kudo në rajon, ndërkohë që nuk ka lënë pa kujtuar masakrat dhe krimet e rënda të regjimit të Millosheviçit ndaj qytetarëve të pafajshëm.

Me rastin e Ditës së Çlirimit në Kosovë janë përgatitur një sërë evenimentesh, për të kujtuar njerëzit që sakrifikuan jetën për lirinë.

Presidentja Atifete Jahjaga, në një mesazh të bërë dje, tha se, “shpallja e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, i ndërtuar mbi bazën e vlerave qytetare, është një vepër madhore e shumë brezave, që sakrifikuan jetën për idealin e lirisë”.

“Kjo arritje u realizua falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe përkrahjes dhe angazhimit të pakursyer të miqve tanë ndërkombëtare”, u shpreh Jahjaga.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi vlerësoi se kjo ditë përbën gurin themeltar për fillimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Krasniqi u shprehu se, populli dhe institucionet e Kosovës tani, në paqe, po ngrenë shtetin e së ardhmes, të së drejtës dhe lirisë, me orientim të qartë evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA