Paqe France-Angli, Sheva mposht Suedinë

11/06/2012 00:00

Franca dhe Anglia ndanë nga një pikë, në superndeshjen e ditës së hënë, që përballi dy pretendentet për suksesin final në ndeshjen e parë të Grupit D.

Në një ndeshje që pritej me interes për të zbuluar potencialin dhe mënyrën se si do të luanin të dy skuadrat, që vijnë në këtë Euro 2012 me formacione tërësisht të rinovuara, barazpeshën e prishën të parët anglezë, 15 minuta përpara intervalit.

Në një goditje dënimi të ekzekutuar nga Gerrard, qendërmbrojtësi Lescott i shpëtoi mbulimit të Diarra dhe me kokë, mposhti portierin Lloris, që i shtangur mbeti në pozicionin e tij pa lëvizur.

Megjithatë, dominimi i “tre luanëve” nuk zgjati shumë dhe dhjetë minuta më pas, francezët rikthyen ekuilibrin në fushë nëpërmjet Nasrisë, pas një aksioni model.

Në një kombinim me Evranë, Malouda avancoi në krah, ku i dorëzoi topin Ribery. Ylli i Bayern depërtoi brenda zonës, ku pasoi për franko-algjerianin e Cityt, që nga hyrja e zonës mposhti shokun e tij të ekipit, portierin Hart, me një goditje të fortë.

Pjesa e dytë foli më shumë për francezët, të cilët rrezikuan disa herë, sidomos me anë të Ribery, por pa mundur që të konkretizojnë.

Veterani Shevcenko ka marrë përdore Ukrainën e tij duke i dhënë një trepikësh me mjaft vlerë përballë Suedisë së Ibrahimovic.

Suedezët ishin të parët ata që kaluan në avantazh në minutën e 52 të takimit, por avantazhi ka zgjatur vetëm 3 minuta, pasi Sheva ka barazuar gjithcka pas asistit të marrë nga Andrij Jarmolenko.

6 minuta më vonë, Ukraina ka gjetur golin e dytë dhe sërish me ish-kampionin e europës me Milanin, Shevcenko.

Pas këtij takimi, Ukraina udhëheq grupin D me 3 pikë, ndjekur nga Franca e Anglia që u ndanë në barazim më herët, me nga 1 pikë dhe Suedi në fund me 0 pikë.

Të martën nisin ndeshjet e dyta të grupeve me grupin A ku Greqia do të luajë kundër Republikës Çeke ndërsa Polonia përballet me Rusinë e vendit të parë. 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta