Shpëtimi si rikthim në 2002

10/06/2012 00:00

Andrea Stefani – E vetmja formulë që mund ta zgjidhë si duhet çështjen e Presidentit është ajo e përdorur në vitin 2002, kur opozita (atëherë e kryesuar nga Sali Berisha) ofroi një listë kandidatësh dhe shumica (e kryesuar nga Fatos Nano) zgjodhi një kandidat nga kjo listë.

Presidenti që doli nga kjo formulë ishte Alfred Moisiu. Deri më sot, Berisha ka bërë gjithçka që një formulë e tillë të mos përsëritet. Dhe thuajse ia arriti. Por largimi i beftë nga gara i Xhezair Zaganjorit e ka rrënuar tërë skemën e tij hipokrite, duke rifutur në lojë formulën e vitit 2002. Tashmë është përsëri opozita që i kërkon qetësisht Kryeministrit të bjerë dakord për këtë formulë dhe më pas, ajo është e gatshme t’i ofrojë një listë kandidaturash, ku ai mund të zgjedhë. Gjë që shihet qartë se Kryeministri nuk ka fare qejf ta bëjë.

Nuk janë aspak të drejta akuzat e Berishës, Metës apo zërave të tjerë të shumicës, se ishte opozita që, me tekat e saj, e dogji kandidaturën “gjerësisht konsensuale” të Zaganjorit. Në të vërtetë ata që janë treguar arrogantë dhe tekanjozë kanë qenë pikërisht Berisha, Meta dhe K°. Sepse është arrogancë e pastër të këmbëngulësh që një kandidaturë është konsensuale në një kohë që nuk ke marrë miratimin e opozitës. Konsensuale dhe e mirë se kështu dua unë, se kështu më pëlqen mua?! Këta politikanë harrojnë se konsensusi është bashkëpëlqim. Më e pakta që duhet të bënin Berisha dhe Meta do ishte që, përpara se të shpallnin si konsensuale kandidaturën e Zaganjorit, të kishin marrë edhe pëlqimin e opozitës. Fakti që nuk e bënë, është thelbi i arrogancës së tyre. Ata u përpoqën t’i imponohen opozitës dhe kjo e fundit nuk mund ta pranonte një gjë të tillë. Zaganjorin nuk e dogji opozita, por Berisha, që ndoqi procedura të njëanshme, voluntariste, jo konsensuale, tipike për procedurat që ka ndjekur kur i është dashur të emërojë në një post ndonjë delfin të tijin. Zaganjorin e dogji Meta që ndonëse fillimisht deklaroi se do mbështeste vetëm një kandidaturë të pranuar “më gjerë se mazhoranca aktuale” kur erdhi fundi, e drodhi dhe u përpoq t’i impononte opozitës Zaganjorin, duke spekuluar se ai gëzonte një mbështetje të gjerë në opinion. Po sa të gjerë dhe si e mati Meta këtë gjerësi? Mos vallë kish bërë ndonjë testim në opinion? Por nuk është e para herë që Meta e dredh, ashtu sikundër nuk është e para herë që një politikan e paraqet dëshirën e vet edhe si vullnet të “popullit”.

Loja ishte tepër vulgare dhe mazhoranca po ecte me shpejtësi dhe entuziazëm drejt zgjedhjes pa konsensus të një presidenti “konsensual”. Këtij paradoksi i dha fund Zaganjori. Pavarësisht shkaqeve që e shtynë në këtë akt, duhet thënë se ai i ka bërë një shërbim vendit të cilit i duhet një president konsensual. Zaganjori e ringjalli këtë shans. Por a do të jenë të gatshëm politikanët ta shfrytëzojnë atë? Sinjalet nuk janë optimiste. Reagimet e para të PD ishin një sulm pa lidhje për Edi Ramën që po “bllokon konsensusin” si dhe demarshet e Berishës për ta zgjidhur problemin “me aleatët”. Nga ky pozicion, që nuk premton fare për konsensus me opozitën, nuk është larg edhe Meta. Në deklaratën e tij ai foli për nevojën e përpjekjeve që duhen bërë, por pati kujdes të theksojë se konsensusi nuk mund të kushtëzohet nga “teka” (e kish fjalën për opozitën dhe Ramën) dhe se në fund të fundit, Parlamenti do jetë sovran (e hidhte fjalën për zgjedhjen e presidentit me vetëm 71 vota nga shumica). Dhe të mendosh se këto paravolira i bën pikërisht Meta që në prill 2008, sokëllinte se zgjedhja e presidentit me 71 vota të shumicës, do ta degjeneronte Shqipërinë në një “republikë kryeministrore” duke rrënuar integrimin. Vallë në emër të integrimit është i gatshëm të votojë një president me 71 vota, edhe pse ndërkombëtarët ia kanë bërë të qartë se një gjë e tillë nuk do favorizonte integrimin? Është e qartë që jo…

Mesazhi i vetëlargimit të Zaganjorit është se vendit i duhet një president i pranuar edhe nga opozita. Por kjo jo vetëm që nuk ka ngjallur refleksion në PD, por ka nxitur qasje më radikale. Si ajo e propozuar nga Alibeaj, për një kandidaturë politike. Një propozim që është plotësisht në përputhje me ambicien e Berishës për kapjen e shtetit, por që gjithsesi, do të ishte edhe më demaskuese për të në qarqet e ndërkombëtarëve që po “lusin” për një president konsensual. E vërteta është se pas kësaj që ndodhi, Berisha nuk mund të përdorë 71 votat duke maskuar etjen e tij për gjithëpushtet, me “destruktivitetin” e Ramës që nuk propozon emra. Sepse Rama është i gatshëm që të propozojë emra, mjafton që Berisha të bjerë paraprakisht dakord të votojë njërin prej tyre. Sepse që pakica të ofrojë emra kandidatësh dhe shumica të votojë një kandidat të vetin, sikundër lakmon Berisha, është një rutinë fare pa kuptim. Është ta llakosh me procedurë demokratike një praktikë tiranike. Si, shumica të votojë një kandidaturë të pakicës?! – tërhuzen mjeshtrit e tiranisë së shumicës. Dhe shtojnë se një gjë e tillë nuk paska “sens”. Nuk kanë faj. Sepse për psikologjinë e një shumice tiranike, nuk përbën “sens” pikërisht ajo që është “kon-sens”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA