Ambientet me pishina janë shtuar së fundmi në Tiranë pasi qytetarët nuk e preferojnë më plazhin e Durrësit për shkak të ujit të ndotur.
Por edhe pishinat mbartin rrezikun e tyre pasi pronarët e lokaleve me pishinë nuk respektojnë rregullat e mirëmbajtjes dhe dezinfektimit të ujit.
Duke i parë si një biznes i mirë përfitimi ata i mbipopullojnë pishinat duke mos respektuar në asnjë rast parametrat 1 pushues për 2 metër katror ujë.
“Ka probleme që lidhen me kontaminime të caktuara dhe raste ku kemi gjetur më shumë persona se sa duhen në një pishinë. Cdo pishinë para hapjes duhet të kryejë një ndërrim të plotë të ujit”, shprehet Gazmend Bejtaj, drejtor i Shëndetit Publik.
Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetit Publik ka nisur këtë sezon një kontroll të rreptë ndaj tyre pasi uji i pishinave është burim i përhapjes së një sërë infeksionesh tek ata që i frekuentojnë.
Bejtaj shtoi: “Kontakti i ujit të ndotur me sytë krijon irritim. Gjithashtu mund të shkaktohet dizanteri, tifo e infeksione nga më të ndryshmet.”
Sipas Bejtaj, një ambient me pishinë duhet të ketë të punësuar një teknik të certifikuar për mirëmbajtjen e pishinës dhe kontrollin e PH-së së ujit në pishinë, dozave të dezinfektantëve që duhen përdorur.
Por, gjithashtu duhet të ketë edhe një kujdestar për ndihmën e shpejtë.
Top Channel