Prishtinë, mblidhen kampionët shqiptarë

10/06/2012 00:00

Në rrugëtimin e tij për një rilindje të sportit shqiptar, deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli është stacionuar në Prishtinë, duke i bërë bashkë për herë të parë shqiptarët kampionë bote, nën një himn dhe nën një flamur.

Deputeti Ylli ka kërkuar mbështetjen e politikës që sportistët shqiptarët të mos mbeten të shpërndarë nëpër botë.

“Synimi i mbajtjes së këtij takimi është hedhja e ideve dhe strategjive të përbashkëta në fushën e sportit. Të gjithë e dimë se bashkimi nuk arrihet vetëm me vullnetin e një partie dhe as për një ditë. Duhet vullneti i dy qeverive. Le ta fillojmë me sportin”, theksoi Fidel Ylli.

Një mesazh shumë të rëndësishëm në këtë takim dha edhe kampioni i botës, Luan Krasniqi, i cili përkrahu idenë e organizatorëve të këtij takimi për krijimin e komitetit të parë mbarëkombëtar të sportit shqiptar.

Luan Krasniqi,boksieri kampion bote, deklaroi: “Takimi i sotëm duhet të nxitë përqasjet e organizuara në sportin kosovar dhe sportistët e shquar mund të japin kontribut. Sportistët shqiptarë janë ambasadorë të denjë të trevave nga kanë emigruar.”

Sot janë të paktën 10 shqiptarë kampionë bote dhe olimpikë, që kanë garuar për shtetet e tjera të botës.

Top Channel