Euro2012, “fitorja e Francës, shpëton Euron”

09/06/2012 20:30

Një studim i titulluar “Soccernomics ” (nga bashkimi i termave soccer/futboll dhe ekonomi), studim të cilit i bën jehonë revista ekonomike franceze “L’Expansion”, përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes se cili vend duhet të fitojë Europianin, për të shpëtuar Eurozonën.

Ekonomistët, që deklarohen si tifozë të futbollit, përmendin vetëm një rast që duhet shmangur në mënyrë të vecantë: kjo është fitorja e Anglisë, Danimarkës apo Suedisë. Megjithëse vende anëtare të Bashkimit Europian, këto tre vende nuk e përdorin Euro, ndaj fitoja e tyre jo vetëm nuk do t’i jepte ndonjë hov eurozonës, por përkundrazi, do të inkurajonte euroskepticizmin.

A mos vallë duhet që Europianin e futbollit ta fitojnë vende të Eurozonës, të përfshirë nga kriza e borxheve sovrane si Spanja, Greqia apo Portugalia? Përsëri analistët përgjigjen negativisht. Sipas tyre, këto vende po ndihmohen nga vende më stabël ndaj fitorja e kampionatit europian të futbollit do të kishte një impakt minimal dhe nuk do të mjaftonte për të zgjidhur hallet e tyre.

Atëhere cilat vende duhet ta fitojnë europianin, për të shpëtuar monedhën e përbashkët? Analistët e ekonomisë përgjigjen: Gjermani, Itali, Holandë dhe sidomos… Franca. Po, po, Franca duhet të fitojë, sepse Franca është vend i madh, prej nga kanë dalë politikat kryesore europiane, nuk është i përfshirë nga kriza, por është afër zonës së kuqe të rrezikut.

Megjithatë ekonomistë të tjerë kanë bërë parashikime mbi bazën e modeleve ekonomike: Kështu, banka Unicredit parashikon gjysmë-finale Portugali-Spanjë dhe Gjermani-Angli. Dekabank arrin pothuaj në të njëjtat rezultate, por nëpërmjet një metode tjetër.

Dekabank ka kryqëzuar statistikat e 124 ndeshjeve të katër Europianëve të fundit, sipas një sistemi vlerësimi të përdorur në lojën e shahut, atë të hersave të ashtuquajtur “Elo”. Emëruesi i përbashkët i këtyre studimeve është që Gjermania, Spanja (dy finalistët e Europianit të fundit) dhe Holanda (Spanja dhe Holanda ishin finalistet e Botërorit të fundit), këto 3 vende pra janë 3 favoritët e mëdhenj edhe të këtij Europiani.

Të tre këto vende janë anëtare të Eurozonës, por nga pikpamja ekonomike, fitorja e Francës do të kishte më shumë ndikim në rritjen e besimit brenda Eurozonës. Atëhere… O burra, le të bëjmë të gjithë tifo për Francën !!!

Top Channel