
Vëmendja e Europës do të përqendrohet sot në Varshavë, aty ku në orën 18:00 do të startojë Euro 2012 me sfidën Poloni- Greqi.
Kryeqyteti i Polonisë do të presë rreth 800 mijë tifozë gjatë kohës së zhvillimit të këtij kampionati. Autoritetet vendase kanë marrë masat për sigurinë e e tifozëve, pasi janë angazhuar mbi 4.000 policë me uniformë dhe civilë.
Synimi i 16 skuadrave që janë në 4 grupe është padyshim titulli kampion. Spanja, kampionia e Europës dhe Botës në fuqi është skuadra që do të kërkojë të mbrojë fronin dhe të jetë skuadra e parë që e fiton dy herë radhazi këtë trofe ndërkohë që sipas kompanive të basteve pretendentja kryesore është përfaqësuesja gjermane e drejtuar nga Joachim Low.
Por, analistët sportivë europianë theksojnë se kujdes duhet treguar edhe nga Holanda e cila është e etur për këtë titull.
Euro 2012 që do të organizohet nga dy vende (Polonia dhe Ukraina) do të jetë aktiviteti më i pasur i historisë së kampionateve europiane. Nga shitja e të drejtës televizive të transmetit të ndeshjeve është përfituar një shumë prej rreth 840 milionë euro ose 4.8 % më shumë se Euro 2008 që u zhvillua në Austri dhe Zvicër.
Prezenca e 1.4 milionë tifozëve garanton 125 milionë të ardhura nga shitjet e biletave, ose 24 % më shumë se edicioni i kaluar.
Të pathenat, kuriozitetet, lajmet më të fundit nga Euro 2012 do të përcillen çdo mbrëmje në orën 23.15 në ekranin e Top Channel, në emisionin Procesi Sportiv.
Top Channel