Në prag të “Rally Albania 2012”

08/06/2012 00:00

Gara e spektakolare e makinave dhe motorëve “Rally Albania 2012” do të startojë në 9 qershor në Tiranë me nisjen nga Piramida për të përshkuar më pas 80 përqind të territorit shqiptar në një javë emocionuese që do të mbledhë rreth 300 pilotë.

Këtë vit si asnjëherë tjetër është zgjeruar gjeografia e pjesëmarrjes me pjesëmarrës nga 22 shtete të botës.

Më shumë pilotë këtë herë kanë ardhur nga Holanda, por nuk mungojnë dhe ata nga Çekia, Gjermania, Anglia, Greqia, Spanja, madje edhe nga Afrika e Jugut, të cilët do të përshkojnë rreth 2000 km rrugë. Mbështetja e Ministrisë së Kulturës këtë herë nuk ka munguar në 100-vjetorin e Shqipërisë shtet, pasi qëllimi i tyre nuk është vetëm gara, por edhe promovimi i turizmit.

Nga Razma në Theth, nga Voskopoja në Himarë, dhjetëra pilotët të huaj do të kenë mundësi që të prekin nga afër, natyrën fantastike dhe mikpritjen shqiptare. Një statistikë interesante vjen nga drejtuesit e garës që thonë se 30 përqind e pilotëve pjesëmarrës, rikthehen sërish në vendin tonë, për të garuar apo për të pushuar me familjen, cka tregon rëndësinë e madhe të këtij aktiviteti sportiv që përfundon mbrëmjen e 15 qershorit.

Top Channel dhe Top News janë sponsorët mediatikë të “Rally Albania”.

Top Channel