Një shpërthim i fuqishëm zgjoi sot herët qytezën e Roketës, në zonën e Ligurias, në Itali, dhe shkaktoi plagosjen rëndë të një shtetasi shqiptar.
53-vjeçari Skënder Melja, me banim prej shumë vitesh në Itali, ndodhet tani i shtruar në Qendrën e Specializuar për Djegiet në Sampierdarena të Xhenovës ku po lufton për jetën.
Sipas burimeve spitalore, ai ka djegie shumë të thella (të gradës së dytë dhe të tretë) në 90% të trupit.
Bëhet e ditur se shpërthimi është shkaktuar nga dalja e gazit, nuk dihet nëse ka qenë aksident apo një akt i kryer me vullnet nga shqiptari, i cili jetonte vetëm në godinën dykatëshe, tani tërësisht e rrënuar.
Fillimisht në vendngjarje ishin dërguar forca dhe mjete të shumta shpëtimi, përfshirë dhe një helikopter, duke parashikuar dëmtimin e shumë njerëzve për shkak të shpërthimit të fortë.
Një ngjarje që pa dyshim solli ndërmend shpërthimin e ngjashëm të një dite më parë në qytetin jugor të Konversanons, pranë Barit, ku humbi jetën një çift me fëmijën e tyre të 18-muajsh.
Top Channel