Rubio, edhe 2 vjet tek Tirana

07/06/2012 00:00

Julian Rubio Sanchez do të jetë trajneri i Tiranës edhe për dy sezonet e ardhshme. Pas rreth dy javësh pushime, trajneri spanjoll që i dha bardhebluve dy trofe në edicionin e shkuar (Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë), duket të ketë pranuar ofertën financiare të bërë nga Tirana.

Si rrallë ndonjëherë një trajner i huaj jo vetëm del i suksesshëm, por pritet të marrë edhe për dy vite të tjera drejtimin e skuadrës më të suksesshme të vendit tonë, Tiranës.

“Në radhë të parë dua t’ju përshëndes dhe të them se jam shumë i kënaqur që jam kthyer këtu. Nuk ka qenë asgjë e vështirë në arritjen e marrëveshjes sepse ne thjesht na duhej të bisedonim dhe të përcaktonim disa gjëra. Nuk mund të them që do të jetë një fillim i ri, por as vazhdim i vitit të shkuar. Ky do të jetë një sezon më i vështirë se viti i kaluar pasi na duhet të bëjmë ndryshime në skuadër. Baza do të jetë e njëjtë, por nuk dop të qëndrojnë të gjithë lojtarët. Për momentin duhet të them që të fillojmë sa më shpejt punën pasi edhe ndeshjet e kupave janë afër. Ende nuk premtoj asgjë, pa padyshim do të synojmë më më mirën e mundshme”, deklaroi tekniku spanjoll.

Ndërkohë, administratori i skuadrës bardheblu, Sali Tagani, ka bërë të ditur se pas trajnerit do të fillojnë edhe emrat e rinj të merkatos të bëhen publikë, ndërkohë që po punohet paralelisht edhe me akademinë.

Tirana e vendit të dytë do të marrë pjesë në këtë sezon në Kupën Europa League, shorti i të cilit do të hidhet më 25 qershor ndërkohë që ndeshja e parë do të zhvillohet më 5 korrik dhe ajo e kthimit më 12 korrik.

Top Channel