Zhvillimi urban në komunat që rrethojnë Tiranën ka bërë që komunat të hartojnë planet rregulluese që t’i përgjigjen këtij zhvillimi.
Komuna Kashar ka hartuar një masterplan që do të parashikojë dhe rregullojë zhvillimin e zonës në 20 vitet e ardhshme. Sipas drejtuesve të komunes, plani rregullues i jep prioritet zhvillimit të biznesit në këtë zonë.
Gjatë konsultimit të masterplanit me grupet e interesit dhe organet vendimarrëse, kryetari i komunës së Kasharit, Besnik Fuçia theksoi se prioritet në planin e madh rregullues do të jenë bizneset që operojnë përgjatë aksit të superstradës Tiranë-Durrës, numri i të cilëve në 5 vitet e fundit është rritur ndjeshëm.
Kryekomunari tha se plani 20-vjeçar për zhvillimin e Kasharit nuk do të diskriminojë pronarët e pronave të cilët prej vitesh jetojnë në ankth se çdo të bëhet me pronat e tyre.
“Bazuar në bashkëpunimin me banorët, në masterplan është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të infrastrukturës rrugore i cili do të lidhë jo vetëm komunat me njëra tjetrën por edhe me metropolin”, tha kryetari Fuçia.
Komuna e kasharit ka një sipërfaqe prej 3800 hektarësh në të cilën përfshihen 10 fshatra.
Nga viti 2006 deri në vitin 2012, Kashari ka një rritje të popullsisë nga 14 mijë në 45 mijë banorë dhe rreth 1200 biznese që operojnë përgjatë superstradës Tiranë-Durrës.
Për 10 vitet e ardhshme mendohet që popullsia të arrijë në 130 mijë banorë dhe numri i bizneseve të rritet në 2 mijë.
Top Channel