
Joakim Lëv ka vendosur të mos aplikojë rregulla të hekurta për skuadrën e tij gjatë kampionatit europian të futbollit. Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja ‘Bild’, trajneri i përfaqësueses gjermane do t’u japë liri për gjithcka futbollistëve të tij.
Gjithnjë sipas ‘Bild’, pas përfundimit të cdo ndeshje, lojtarët do të kenë të drejtë të takohen me bashkëshortet ose të fejuarat e tyre, ndërkohë që ende nuk është e qartë nëse do t’u lejohet të kalojnë edhe mbrëmjet me to.
Por jo vetëm kaq, mësohet se Lëv do t’i lejojë futbollistët të konsumojnë birrë e verë, madje edhe duhanin. Lojtarët e përfaqësueses gjermane morën miratimin edhe për përdorimin e rrjeteve sociale Facebook dhe Twitter, por kjo me kushtin që ata të mos flasin në asnjë moment për skuadrën.
Ndërkohë, Federata Gjermane e Futbollit ka bërë të ditur edhe shpërblimin e skuadrës në rast të fitores së Euro 2012, ku cdo futbollist do të përfitojë 300 mijë Euro.
Nuk është parashikuar asnjë lloj përfitimi për ta nëse eliminohen në fazën e grupeve, ndërkohë që kualifikimi për në cerekfinale vlen 50 mijë euro. Kjo shumë shkon në 100 mijë euro nëse Gjermania arrin gjysmëfinalet.
Top Channel