Trukimet, prokurori zbardh skemën

05/06/2012 00:00

Kryeprokurori i qytetit të Barit, në Itali, Antonio Laudati ka folur
lidhur me fenomenin e trukimit të ndeshjeve të kampionatit italian të
futbollit, që sa vjen e zgjerohet.

Në një intervistë për Raisport, Laudati ka deklaruar se prapa manipulimit të rezultateve qëndrojnë organizata kriminale që synojnë të pasurohen.

“Pista kryesore e hetimit tonë është pastrimi i parave. Por krimi i organizuar nuk kënaqet me kaq, ai synon të rrisë fitimet”, ka thënë Laudati.

Prokurori ka sqaruar edhe skemën e trukimit të rezultateve, si dhe rolin e bastexhinjve të huaj që marrin pjesë në këtë proçes.

“Ka vende në të cilat është e mundur të vësh bast në çdo mënyrë dhe kështu organizatat përdorin bastexhinj të huaj. Rreziku është minimal, me shkeljet sportive rrezikohen vetëm pak muaj burg ose një gjobë”, ka saktësuar Laudati.

Në këtë mënyrë sqarohet edhe pozicioni i të huajve në këtë proçes të gjerë manipulimi, ku në disa raste nuk kanë munguar edhe bastexhinjtë shqiptarë.

Lidhur me skandalin e basteve që ka përfshirë kampionatin prestigjoz italian të futbollit, policia lokale në fund të muajit të kaluar kreu një valë arrestimesh, mes të cilave spikasnin emrat e Stefano Maurit, kapiteni i Lacios.

Ndërsa në hetimin e autoriteteve u përfshinë edhe trajneri i Juventus, Antonio Conte, ish-sulmuesi Cristian Vieri dhe mbrojtësi i kombëtares italiane Domenico Criscito.

Një foto e Criscito u publikua nga mediat online në Itali, ku dukej futbollisti në një takim me Safet Altic, një boshnjak që tashmë është në burg. Në takimin e 10 majit 2011 kanë qenë të pranishëm edhe Giuseppe Sculli (në atë kohë lojtar i Lacios) dhe një shqiptar me emrin Kujtim Qoshi, i lidhur me Altic.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta